TIRANË — Një oficer i Gardës së Republikës ka humbur jetën tragjikisht mëngjesin e sotëm si pasojë e sulmit të beftë të një droni armik të pa identifikuar. Teksa qëndronte në kabinën e tij të sigurisë dhe bënte scroll në TikTok duke qeshur me lot me memet e romancës “fik radarët për ty shpirt”, dron ushtarak që kishte hyrë i pashqetësuar në hapësirën ajrore të kryeqytetit sepse radarët ishin vërtet të fikur, goditi me saktësi kabinën e tij.
Sipas dëshmitarëve dhe kamerave të sigurisë, nëntetari e kaloi orën e fundit të shërbimit duke i bërë share një videoje ku koka e ish-drejtoreshës së SHISH ishte montuar në një telenovelë turke.
“Ishin çastet e tij të fundit,” tregon efektivi tjetër i turnit, i cili shpëtoi pasi ishte futur brenda për të karikuar telefonin. “Kolegu ngriti sytë dhe pa një siluetë të zezë metalike me katër helika dhe një raketë poshtë saj. Një sekondë më vonë, kabina e tij u bë shkrumb e hi.”
Psikologët paralajmërojnë se shoqëria shqiptare ka arritur nivelin e fundit të mpirjes kolektive. Aftësia e kombit për të përpunuar kolapsin e shtetit përmes humorit është kthyer në një mjet vetëvrasës anestezie, ku një skandal spiunazhi që do të rrëzonte tre qeveri radhazi në Evropë, në Tiranë shihet thjesht si material i mirë për të kapur 10 mijë shikime në Instagram.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.