/ Politikë

Rama mban 25 minuta fjalim ne frigoriferin bosh te konviktores

|Nga: Redaksia Lemza
Rama mban 25 minuta fjalim ne frigoriferin bosh te konviktores

TIRANË — Pasi kuptoi se salla e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork kishte ende të pranishëm që ia prishnin qetësinë, KM Edi Rama është kthyer me urgjencë në atdhe për të gjetur një zbrazëti më të denjë për fjalimet e tij.

Mëngjesin e sotëm, ai ka hyrë papritur në Godinën 15 të Qytetit Studenti dhe ka mbajtur një fjalim epik, të pandërprerë, prej 25 minutash brenda frigoriferit bosh të një studenteje të vitit të dytë.

Audienca e vetme diplomatike në tre raftet e frigoriferit përbëhej nga një gjysmë limoni i tharë që nga maji, një kavanoz i hapur me tre speca turshi, dhe një bidon me ujë çezme.

Enxhi Marka, 20 vjeç, studente e Fakultetit të Ekonomisë, tregoi për Lemza News se ishte zgjuar në orën 07:00 për të pirë ujë, kur gjeti kreun e qeverisë brenda, duke bërë gjeste të gjera me duar.

“Fillimisht u tremba, mendova se ishte pronari i dhomës që erdhi për qiranë, por pastaj dëgjova fjalën ‘revizionizëm historik’ dhe e njoha,” tregon Enxhi, ende e shokuar. “Qëndrova 25 minuta në këmbë me pizhame duke e dëgjuar. As në OKB nuk kishin dëgjues kaq të dedikuar.”

Sipas Enxhit, kulmi i fjalimit erdhi në minutën e 18-të, kur KM akuzoi termostatin për “qëndrim hipokrit përballë krizës klimatike”.

Fjalimi përfundoi kur motori i frigoriferit, i mbinxehur nga dera që qëndroi hapur për gati gjysmë ore, dha shkëndijë dhe u fik.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon