TIRANË — Mëngjesin e sotëm, në një atmosferë të rëndë dhe me dyer (pjesërisht) të mbyllura, u mblodh në Pallatin e Brigadave Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Përballë skandalit të fundit me ish-drejtoreshën e SHISH, dhe dyshimeve se inteligjenca e shtetit menaxhohet nga krimi, pritshmëritë ishin për një reagim të hekurt të Republikës.
Sapo titullarët e 13 institucioneve më të larta zunë vendet e tyre në tryezën e rrumbullakët, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, adresoi kërcënimin më emergjent që i kanosej Kombit:
“Të nderuar anëtarë të Këshillit. Para se të kalojmë te rënia e shtetit dhe shpërthimi i sekreteve kombëtare, a mund të zbulojmë urgjentisht se kush e ka lënë derën e paradhomës hapur? Po më rreh një korrent i ftohtë mu në qafë, do marrë plevitin.”
Sipas burimeve të Lemza News brenda sallës, kjo deklaratë bëri që agjenda të ndryshonte menjëherë. Drejtori i komanduar i SHISH mori kështu detyrën e tij të parë madhore operacionale: të zbulonte nëse rryma e ajrit vinte nga dritarja e tualetit, apo nga dera kryesore e Pallatit.
Mësohet se dy agjentë u dërguan për të monitoruar lëvizjen e perdeve, ndërkohë që kreu i Ushtrisë propozoi ngritjen e një perimetri të sigurisë me batanije ushtarake rreth karriges së Presidentit.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.