/ Politikë

Ndryshon procedura penale: S'ka më arrest me burg për personat mbi 2 metra të gjatë që u fillon mbiemri me 'R' dhe u mbaron me 'A'

|Nga: Redaksia Lemza
Ndryshon procedura penale: S'ka më arrest me burg për personat mbi 2 metra të gjatë që u fillon mbiemri me 'R' dhe u mbaron me 'A'

TIRANË — Qeveria shqiptare ka hedhur sot një hap gjigant (me plot kuptimin e fjalës) drejt përafrimit me standardet e BE-së.

Sipas ndryshimeve të reja në nenin 238, asnjë gjykatë në Republikën e Shqipërisë, përfshirë edhe GJKKO-në, nuk mund të urdhërojë burgosjen e shtetasve, gjatësia trupore e të cilëve është mbi 2 metra, dhe mbiemri i të cilëve fillon me shkronjën ‘R’ dhe përfundon natyrshëm me shkronjën ‘A’.

“Kjo nuk ka të bëjë me asnjë individ të caktuar,” deklaroi me ton serioz KM gjatë një deklarate për shtyp. “Krevatet e paraburgimit të SPAK-ut janë fiks 1.90 metra të gjatë. Të fusësh një person mbi dy metra aty është një torturë mesjetare, shkelje e drejtpërdrejtë e Konventës së Strasburgut! Për më tepër, hulumtimet e fundit shkencore tregojnë se individët që u fillon mbiemri me ‘R’ dhe u mbaron me ‘A’ janë gjenetikisht më të prirur për t’u prekur nga reumatizma në ambientet e paraburgimit.”

Për këtë grup, masa maksimale e sigurisë do të jetë “detyrim paraqitjeje në podkastin e vet” ose në rastet më ekstreme, “arrest shtëpie në një vilë me bunker e ndërtuar me materiale ekologjike në periferi të Tiranës.”

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon