/ Kronikë

Thanos distancohet nga masakra në Lushnjë: Barbarizëm i padëgjuar!

|Nga: Redaksia Lemza
Thanos distancohet nga masakra në Lushnjë: Barbarizëm i padëgjuar!

TITAN — Mëngjesin e sotëm, përmes një lidhjeje holografike direkt nga planeti Titan, vetë Zoti i Errët i universit doli në një konferencë urgjente për shtyp për t’u distancuar nga masakra ekologjike që ndodhi në fund të shtatorit në Kasharaj të Lushnjës.

“Unë jam një qenie e pamëshirshme që zhduk qytetërime të tëra, ama kam parime!” deklaroi Thanos i ofenduar. “Dhe mbi të gjitha kam vizion! Unë asgjësoj 50% të popullatës për të ruajtur ekuilibrin dhe burimet e natyrës, jo më shumë. Ajo që pashë në Lushnjë është një maskarallëk. Të thash ujin dhe të ngordhësh mijëra peshq në atë mënyrë është barbarizëm i padëgjuar!”

Nga frika se çfarë i kanoset Universit nëse Infinity Stones bien në duart e inxhinierëve të Bordit të Kullimit Lushnjë, Thanos ka vendosur t’i fshehë ato përgjithmonë. 

Burime pranë mercenarëve të tij bëjnë me dije se Titani i Errët i ka dërguar ato brenda Quantum Realm, ku asnjë firmë nënkontraktore nga Lushnja nuk e ka teknologjinë për të mbërritur.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon