TUFINË / NËNTOKË – Instituti i Shëndetit Publik të Botës së Përtejme publikoi sot raportin vjetor për gjendjen epidemiologjike të popullsisë së nëntokës, duke konfirmuar një trend shqetësues: rastet e sëmundjeve respiratore në popullatën e varrezave të Tufinës janë rritur ndjeshëm, kryesisht për shkak të ekspozimit të vazhdueshëm ndaj duhanit.
Raporti thekson se problemi lidhet me traditën shqiptare të lënies së cigareve për ata që s’jetojnë më. “Familjarët furnizojnë vazhdimisht të afërmit e ndjerë me duhan,” shkruhet në dokument. “Rezultati është një ekonomi e zezë e nikotinës që vazhdon përtej jetës.”
Ndërkaq, shumë banorë të nëntokës kanë paraqitur ankesa formale.
“Unë e lashë duhanin në ’98-n,” deklaroi një ish-mësues, ndarë nga jeta në një aksident rrugor. “Tani jam i detyruar ta kaloj përjetësinë mbytur nga tymi i duhanit.”
Të tjerë raportojnë kollë fantazmë, fishkëllimë torakale dhe irritim kronik të fytit.
Autoritetet e nëntokës rekomandojnë zëvendësimin e cigareve me karamele menteje, si dhe përditësimin e ambalazhit të tyre me mesazhin: “Duhani vret. Edhe pas vdekjes”. Pas kësaj, pritet raporti për varrezën e Sharrës, por autoritetet nuk kanë shpresa për rezultate të kënaqshme.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.