TIRANË – Një 61-vjeçar nga periferia e kryeqytetit organizoi këtë fundjavë një gender reveal party për tumorin e prostatës, në praninë e familjarëve, miqve dhe urologut të pavionit. Ngjarja u zhvillua në oborrin e onkologjikut, ku një tullumbace e madhe e bardhë pritej të shpërthente për të zbuluar ngjyrën simbolike të lythit që ish ngjizur në gjëndrën e tij të prostatës.
Kur nipi i vogël shpoi tullumbacen me gjilpërë, një re blu me konfeti mbuloi supet e të pranishmëve. Pas disa sekondash heshtje, pati duartrokitje të vakëta.
“Pra mashkull. Nëse fillojmë që tani trajtimin, prognoza është e menaxhueshme,” tha mjeku, i cili u shpreh gjithashtu se në 20 vite karrierë kishte parë shumë reagime ndaj diagnozës, por kjo ishte hera e parë që ajo të shoqërohej me pastashu mbushur me krem blu.
“Nuk ka rëndësi ngjyra,” tha pacienti. “Rëndësi ka dëshira ime e paepur për ta shfarosur atë lyth me metodat më të fundit të mjekësisë.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.