TIRANË - Zgjerohet edhe më tej hendeku mes shtresave në Shqipëri. Shifrat më të fundit të publikuara nga KOSTAT tregojnë se familjet më të pasura të vendit blejnë mesatarisht 34 diploma më shumë në vit se familjet e varfra.
“Nuk është çudi që një familje e kamur të blejë diploma për çdo stinë të vitit, për çdo pjesëtar të familjes,” tha Miro Grosha, sekretar i universitetit privat Luaraska. “Një bachelor për ditë vere, një master për ditëlindje, dhe një doktoraturë për Vit të Ri. Vë bast se një pjesë e madhe e tyre kanë më shumë diploma masteri se çorape.”
Eksperti i arsimit dhe tregut të punës, Gregor Trumza, pranoi se hendeku pritet të zgjerohet edhe më tej nëse nuk merren masa drastike, “Nuk bëhet fjalë vetëm për hendek sasior, por mbi të gjitha cilësor. Ndërkohë që të pasurit sigurojnë diploma nga universitete prestigjioze e të akredituara ndërkombëtarisht, të varfrit nuk blejnë dot as një certifikatë të lodhur berberi.”
Për të luftuar këtë trend negativ, të varfrit kanë krijuar grupe studimi për të ndarë shpenzimet e diplomës së blerë, duke shpresuar që në të ardhmen kjo praktikë të bëhet standard.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.