Gjuhëtari kapet në shtrat me të ëmën e Zeqos

Description of the image

TIRANË – Një skandal seksual ka tronditur botën akademike këtë të martë, pasi një nga gjuhëtarët më të respektuar të vendit, prof. dr. Pirro Ypi, u kap nga bashkëshortja në shtrat me të ëmën e Zeqos*.*

Shprehja “Flet si e ëma e Zeqos majë thanës,” e përdorur prej dekadash për të satirizuar kotësinë verbale, duket se ka zbritur nga rrafshi frazeologjik dhe është shndërruar në një grua prej mishi e gjaku.

Bashkëshortja e gjuhëtarit, Marjeta Ypi, dyshonte prej muajsh për tradhtinë e të shoqit. “Kalonte net të gjata në bibliotekë, gjoja duke studiuar. Mendoja se ma dridhte me ndonjë studente, por kurrë nuk më shkonte mendja te e ëma e Zeqos,” u shpreh zonja Ypi, tek shkërmoqte me dorë gjethet e thanës që kish gjetur në shtratin e motelit.

Akademia e Shkencave mbajti një konferencë urgjente. “Prej vitesh kemi paralajmëruar se filologët që shpenzojnë shumë kohë me studime frazeologjike rrezikojnë të joshen prej tyre e të shkatërrojnë familjen,” tha kreu i saj, Muço Dyfeku. “Sot është E ema e Zeqos, nesër mund të jetë Ali hoxha ose hoxhë Aliu.” Në përfundim të konferencës u njoftua dhe rrëzimi i zotit Ypi nga dynjallëku i Akademisë së Shkencave.

Kolegët e gjuhëtarit janë ndarë në dy kampe. Disa e quajnë “një eksperiment të guximshëm në albanologji.” Të tjerë e akuzojnë se “e ka bërë gjithë disiplinën gazin e botës, sikur të mos mungonin hallet e tjera.”

Skandali ka ngjallur reagim të ashpër nga shoqatat feministe. “E ëma e Zeqos, si figurë folklorike, nuk ka dhënë kurrë pëlqimin e saj. Ajo madje nuk ka as emër, por njihet vetëm si e ëma e një mashkulli,” theksoi aktivistja Loreta Krak. “Tani po shfrytëzohet sërish prej burrave sa për një natë pasioni. Kur gratë prej mishi nuk i frymëzojnë më, burrat kthehen te gratë metaforike të shpikura nga lopçarët katërqind vjet më parë.”

Sa për të ëmën e Zeqos, raportohet se ajo është kthyer majë thanës, duke përmbushur me pikë e me presje arsyen e ekzistencës së saj përballë mikrofonit të gazetarëve.