E rëndë / Gazetari investigativ dhunohet nga e ëma

SARANDË - Gazetaria e pavarur dhe liria e shprehjes mori një tjetër goditje pasditen e djeshme kur gazetari i Lemzës, Sabian Qameti, u dhunua nga e ëma ndërkohë që kryente detyrën e tij legjitime në shtëpinë e prindërve në Sarandë.
Çdo gjë nisi kur Sabiani gjeti një fije floku në pastiçon greke. Me zorrët në grykë, nisi menjëherë hetimin për të zotin e asaj qimeje. Kur u ndesh me kundërshtinë e prindërve, ai vendosi ta marrë qimen me vete për të analizuar ADN-në e saj në një laborator biologjik në kryeqytet. Sabiani nuk pati as mundësinë për ta futur fijen e flokut në një qese hermetike, kur një shapkë e rëndë prej gome ia errësoi sytë fluturimthi.
“Është akti më i rëndë i agresionit që kam marrë ndonjëherë në karrierë,” pohoi Sabiani tek mbante një qese me akull në syrin e majtë. “Dhe ju kujtoj që unë kam qenë i pranishëm në dajakun e shekullit që na dha Drejtori i UKT-së vjet për Krishtlindje.”
Shoqata e Gazetarëve reagoi duke dënuar aktin, “Ky është një precedent i rrezikshëm. Sot shapka, nesër vjen fshesa.”
Nga ana tjetër, agresori, Margerita Qameti, nuk shfaqi asnjë grimcë pendese, “Ai djalë s’di çfarë është privatësia. Deri dje hetonte ministra, sot numëron sa qime ka në pastiçon greke. Boll se s’durohet më.”