Kineasti ngulmon se filmi që po xhiron më dramatik se jeta e vet

TIRANË - Edhe pse me katër produksione filmike e dhjetëra projekte televizive mbi supe, për kineastin Lukas Vercalli tortura duket se nuk ka fund, sidomos gjatë xhirimeve të filmit të tij të fundit.
Aktorë që shkojnë në set të dehur; operatori i kameras lë punën në mes të xhirimeve për të filmuar dasmën e të motrës; djali i boom-it arrestohet nga policia për shpërndarje substancash narkotike; OSSHE që i ndërpret energjinë elektrike studios për fatura të papaguara. Këto janë disa nga peripecitë e sheshxhirimit, e prapë së prapë, në gjithë këtë kaos, regjisori ngulmon plot krenari, “Ju siguroj që kjo nuk është asgjë para dramës që kam shkruar në skenar. Mezi pres ta shihni në kinema.”
I pyetur për situatën e fëmijëve, të cilët gjykata ia mori nga kujdestaria dy ditë pasi i konfiskoi shtëpinë për mospagim të kredive, Vercalli përgjigjet me zë të mekur, “Nuk më lënë t’i takoj… Me ç’kam dëgjuar shkojnë tre herë në javë te një psikolog fëmijësh nga gjendja e rënduar emocionale. Vajza ka rënë nga mësimet, ndërsa djali bën video në TikTok. Sidoqoftë, asgjë nuk krahasohet me intrigën dhe agoninë që kam arritur të shkruaj në skenar. Filmi është shekspirian!”
Pas intervistës, kineasti na ftoi të hanim fara luledielli me stafin gjatë pushimit të drekës.