Qeveria prezanton “Paketën e Haleve”

Description of the image

TIRANË - Në një hap të guximshëm për të promovuar “lehtësimin ekonomik dhe gastrik të zyrtarëve”, qeveria shqiptare ka prezantuar Paketën e Haleve, një projekt-ligj që do u japi zyrtarëve të lartë, punonjësve të administratës dhe familjarëve të tyre të drejtën të marrin nën zotërim banjat e shtetasve shqiptarë për çmimin simbolik prej vetëm 1 euro.

Sipas hartuesve të tij, ligji do të çlirojë “potencialin e pashfrytëzuar hidraulik” të vendit. KM deklaroi: “Për shumë kohë shqiptarët i kanë mbajtur banjat vetëm për përdorim privat. Është koha të ndajmë këtë aset strategjik me zyrtarë që kanë kapacitetin gastrik si dhe përvojën e nevojshme për të kënaqur si duhet sqollet tona.”

Projekt-ligji parashikon që “pronarët jo-pronarë të tualeteve” do të njihen si përdorues legjitimë, mjafton të paraqesin dokumente që dëshmojnë se gostitë e tyre kalojnë çdo lloj limiti njerëzor, bashkangjitur me raport nga mjeku që klasifikon zorrët e tyre si “tmerrësisht të pabesa dhe mrekullisht të paparashikueshme.”

Kadastra do të nisë menjëherë hartëzimin e çdo tualeti në Shqipëri, duke i klasifikuar si “zona me prioritet lirimi.” Brenda gjashtë muajve do të lançohet dhe aplikacioni që ndihmon përdoruesit të gjejnë halenë e përkryer ku të shkrehin ngacmimet e majasëllit apo virozën e fund gushtit.

Sidoqoftë, shumë qytetarë shprehën shqetësim për të dërguarin e Vraçit në terren. “Në fillim na morën malet, tani po na marrin haletë,” tha Trimosh Fraku, banor i Zall Herrit, teksa kyçte banjën e tij me një dry magazine. Ndërsa i ati, Lesko Fraku, që numëronte tespihet në verandë, paralajmëroi kërcënueshëm : “Nëse shteti prek furçën e sqollit, do vetëflijohem!”

Megjithatë, hartuesit e ligjit mbeten optimistë. “Shqiptarët duhet t’i shohin banjat jo si hapësira private, por si tjetër mundësi që zyrtarët të zgjerojnë territorin e tyre të nënshtrimit total mbi popullin,” tha KM. “Çdo shkarkim kasete është një tjetër shkelje dinjiteti e pashfrytëzuar.”

Në projekt-ligj parashikohet një tavan prej 8000 përfituesish, por hartuesit kanë sqaruar se në rast kërkese, “banja shtesë do të shpronësohen nga familjet e mëdha që mbajnë pangopësisht më shumë se një tualet.

Pas kalimit në kuvend, ligji do të vihet në zbatim me ceremoni inaugurimi të planifikuara në disa pallate banimi. Të ftuarit luten të marrin me vete letrën higjienike.