/ Sociale

E bujshme / Sondazhi i fundit tregon një shirit më të gjatë se të tjerët

|Nga: Redaksia Lemza
E bujshme / Sondazhi i fundit tregon një shirit më të gjatë se të tjerët

TIRANË – Një sondazh i publikuar së fundmi nga kompania lider në këtë fushë, Gërdup, ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, pasi grafiku shoqërues tregon një shirit dukshëm më të gjatë se të tjerët, në një mënyrë që të ngop shpirtin dhe qetëson mendjen. Raporti prej 32 faqesh, me analiza, metodologji dhe komente ekspertësh, u la në hije nga fakti që njëri prej shiritave në grafik kalon bindshëm 5 të tjerët.

“Është qetësuese për publikun,” u shpreh eksperti i sondazheve Laver Divjaka. “Njerëzit kanë nevojë për qartësi. Edhe nëse pyetja është ‘A pini ujë?’, dikush duhet të kryesojë.”

Sipas burimeve, shpesh platformat e sondazheve në Shqipëri i ndërtojnë grafikët paraprakisht, në një mënyrë të tillë që të kënaqin syrin, dhe më pas i bashkëngjitin pyetjen përkatëse. Sociologët e kanë quajtur fenomenin “Sindroma e Shiritit të Paracaktuar”, dhe besojnë se është përgjegjës për mirëqenien mendore të qindra mijëra shqiptarëve.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.