/ Politikë
/ Shëndeti

Shkeli kontratën për të drejtat e shpretkës / Aktorja hedh në gjyq ministren

|Nga: Redaksia Lemza
Shkeli kontratën për të drejtat e shpretkës / Aktorja hedh në gjyq ministren

TIRANË — Aktorja e njohur e teatrit, Sonila Shpeza, ka paditur zyrtarisht Ministren e Skamjes, Bjonde Gështenja, duke i kërkuar t’i kthejë menjëherë shpretkën e saj, pasi kjo e fundit ka shkelur në mënyrë flagrante termat e kontratës. Sipas dosjes së dorëzuar në Gjykatën e Tiranës, aktorja ia kishte dhënë të drejtat e organit Ministres para zgjedhjeve të 2021-shit, me qëllim që ajo të përballonte me sukses helmin e fushatave, dhe më pas stresin e seancave plenare. Por tani që kontrata ka mbaruar, Ministrja refuzon ta kthejë organin mbrapsht.

E indinjuar, aktorja dha një konferencë për shtyp para dyerve të gjykatës, duke akuzuar shtetin për shpërdorim të organeve të brendshme të qytetarëve. “Ne kishim një marrëveshje të qartë noteriale,” deklaroi ajo, duke treguar kontratën ku specifikohej se shpretka do të përdorej vetëm për filtrimin e gjakut gjatë orarit zyrtar 08:00 - 16:30.  “Tani ministrja po e përdor shpretkën time për të tretur darkat e rënda të punës me kontraktorët e tenderave në orën 11 të natës! Është e papranueshme. Shpretka ime nuk është për të filtruar korrupsionin shtetëror pa u paguar me orë shtesë!”

Aktorja kërkon kthimin e menjëhershëm të organit, si dhe pagesën e të drejtave të autorit për çdo qelizë të bardhë gjaku që shpretka e saj ka prodhuar për të mbrojtur Ministren nga virozat e stinës dhe pyetjet e gazetarëve. Përmes një zëdhënësi, Ministrja e hodhi poshtë padinë si një sulm të motivuar politikisht, duke argumentuar se pas pesë vitesh në trupin e një zyrtareje të lartë, shpretka cilësohet aset shtetëror dhe nuk mund të kthehet mbrapsht.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.