/ Ekonomi
/ Bota

Lufta në Iran / Rritet çmimi i djathit të Tepelenës

|Nga: Redaksia Lemza
Lufta në Iran / Rritet çmimi i djathit të Tepelenës

TIRANË — Vetëm pak ditë pas përshkallëzimit të tensioneve ushtarake dhe lëshimit të raketave në Lindjen e Mesme, tregjet shqiptare kanë reaguar me shpejtësi rrufe. Produkti i parë që ka pësuar një rritje drastike të çmimit në bursën e Pazarit të Ri nuk ishte as nafta dhe as ari, por djathi i bardhë i dhive të Tepelenës, i cili kërceu nga 1,200 Lekë në 1,600 Lekë për kilogram. Ekspertët e ekonomisë dhe tregtarët e bulmetit janë bërë bashkë për t’u shpjeguar qytetarëve të irrituar lidhjen e drejtpërdrejtë dhe të pashmangshme mes ngushticës së Hormuzit dhe kullotave të Progonatit.

Në një intervistë për mediat mëngjesin e sotëm, Xhevit Napa, një tregtar bulmeti me 20 vite përvojë, shpjegoi se pse qytetarët nuk duhet të ankohen për çmimin e ri. “O zotëri, jetojmë në globalizëm, jo në mesjetë,” argumentoi ai. “A e dini ju se barinjtë shohin lajmet në telefon gjatë gjithë ditës? Kur dëgjojnë për dronë dhe raketa ballistike, bariu stresohet. Stresi i kalon dhisë gjatë mjeljes. Dhia nxjerr më pak qumësht. Bie prodhimi, rritet çmimi. Është ligji i ofertës dhe kërkesës, ju lutem shumë tani!”

Kur u pyet se çfarë lidhje ka nafta iraniane me një dhi që ecën në këmbë dhe ha bar natyral, veterani i bulmetit u përgjigj prerë: “Djathi i Tepelenës është një produkt thellësisht gjeopolitik, o zotëri. Kripa me të cilën bëjmë shëllirën, nga del sipas teje? Nga deti! Dhe në det ka anije luftarake që e vonojnë procesin. Çdo gjë është e lidhur!”

Për të qetësuar panikun e qytetarëve që filluan të mbushin bidonët me gjizë nga frika e Luftës së III-të Botërore, qeveria ka njoftuar rikthimin e menjëhershëm të Bordeve të Transparencës. Bordi i ri i Bulmetit dhe Shëllirës pritet të mblidhet dy herë në javë për të vendosur çmimin tavan të djathit, i cili me shumë gjasa do të fiksohet në 1,800 Lekë për kilogram, për të mbrojtur konsumatorin nga abuzimet e tregtarëve. Ndërkohë, qytetarëve u bëhet thirrje që ta shoqërojnë rakinë me meze të tjera alternative, të paktën derisa të nënshkruhet një armëpushim në Lindjen e Mesme.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.