/ Ekonomi

Leshterikët e detit dhe mushkonjat tigër të vetmet në garë për Porto Romanon

|Nga: Redaksia Lemza
Leshterikët e detit dhe mushkonjat tigër të vetmet në garë për Porto Romanon

DURRËS — Pas tërheqjes së kompanisë qipriote për ndërtimin e portit të ri tregtar, gara për Porto Romanon ka marrë një kthesë drastike. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka njoftuar sot se në zarfet e fundit të mbetura mbi tryezë, të vetmit garues për këtë megaprojekt janë dy “konsorciume” autoktone: një bashkim operatorësh i Leshterikëve të Detit dhe një kooperativë ajrore e Mushkonjave Tigër.

Sipas ekspertëve të Ministrisë, këta janë të vetmit entitete që kanë treguar interes të sinqertë për të qëndruar në atë zonë më shumë se dy orë pa u ankuar për erën e rëndë dhe mungesën e rrugëve.

Oferta më kopsitur vjen nga bashkimi i Mushkonjave Tigër, të cilat pretendojnë se kanë një staf prej 450 miliardë “punëtoresh” të gatshme për të filluar nga puna. Plani i tyre i biznesit bazohet në një PPP (Partneritet Publiko-Pellgor).

“Ne jemi investitorët e vërtetë strategjikë të Porto Romanos, paraardhësit tanë janë këtu që para ilirëve,” gumëzhinte një përfaqësuese e konsorciumit, ndërkohë që i thithte gjakun në qafë drejtorit të prokurimeve. “Ne kontrollojmë tashmë të gjithë hapësirën ajrore të zonës. Dogana jonë do të jetë shumë e thjeshtë: çdo marinar, kapiten apo vinçier që shkel në port, do të paguajë taksën e kalimit në formë dhurimi të detyrueshëm gjaku. Është një sistem transparent dhe pa korrupsion!”

Në krahun tjetër, gara bëhet e fortë nga entiteti detar i Leshterikëve, të cilët kanë ofruar të ndërtojnë një “infrastrukturë 100% të gjelbër dhe të rrëshqitshme”. Ata e konsiderojnë betonin si një material jashtë mode. Përfaqësuesit e Leshterikëve propozuan një model novator ankorimi: “Nuk keni nevojë për spiranca apo kalata betoni. Mjafton që anijet të afrohen në breg, dhe ne do t’i mbështjellim me mijëra tonë leshterik të kalbur, duke i bllokuar në vend. A nuk është kjo siguria maksimale e një porti evropian?”

Burime nga qeveria bëjnë me dije se kryeministria është thellësisht e entuziazmuar nga këto dy oferta. “Të jemi të sinqertë, kompanitë evropiane donin para, kërkonin standarde, donin studime gjeologjike,” tha një zyrtar pranë kryeministrisë për Lemza News, tek lyente krahët me raki. “Leshterikët dhe Mushkonjat nuk duan asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit. Ata rriten vetë, shtohen vetë, dhe e mbajnë projektin eco-friendly. Madje po mendojmë tu japim për menaxhim edhe zonën e lirë ekonomike të Spitallës.”

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.