/ Ekonomi

Çmendet tregu i foleve / Dallëndyshet mbeten të pastreha

|Nga: Redaksia Lemza
Çmendet tregu i foleve / Dallëndyshet mbeten të pastreha

TIRANË — Ndërkohë që sezoni i migrimit të dallëndysheve pritet të arrijë kulmin e tij, agjencitë e pasurive të paluajtshme shpezore kanë dhënë alarmin. Çmimi për centimetër katror i një foleje të re në kryeqytet ka thyer çdo parashikim ekonomik, duke lënë qindra çifte të reja dallëndyshesh të flenë shkurreve ose të ndajnë folenë me vjehrrit.

Sipas Indeksit të Strehimit të Shpezëve, çmimi mesatar i një foleje të ndërtuar rishtazi ka kapur shifrën e 1,200 insekteve për centimetër katror në zonat periferike, ndërsa në zonat elitare shifrat janë të papërballueshme për zogjtë e thjeshtë punëtorë.

Ekspertët e tregut ia faturojnë këtë rritje artificiale të çmimeve shtrenjtimit të sqepit të punës në ndërtim si dhe fluksit masiv të trumcakëve emigrantë të Londrës në tregun vendas. Këta zogj po blejnë fole me para në dorë (ose më saktë, me miza në sqep), duke prishur balancat e tregut vendas.

“Ata vijnë me insekte të fuqishme dhe po blejnë fole ‘në gropë’, domethënë ende pa u tharë mirë balta,” shpjegon një agjent imobiliar harabel. “Kjo, si dhe shtrenjtimi i kostove të ndërtimit, ka bërë që ndërtuesit vendas të rrisin çmimet. Pse t’ia shesë një çifti të ri shqiptar me këste mujore, kur trumcaku londinez ia paguan të gjithë sasinë e krimbave direkt në dorëzim të çelësave?”

Sipas raportit, shumë nga këto fole luksoze në qendër të Tiranës rrinë bosh për 9 muaj të vitit, duke u përdorur thjesht si “investim kapital” nga pronarët.

Kriteret që po rrisin çmimin me 40% përfshijnë:

- Orientimi Jug-Lindje

Për të marrë rrezet e para të diellit dhe për të tharë puplat shpejt pas shiut.

- Akses në Infrastrukturë

Fole që ndodhen pranë fast-food-eve ose furrave të bukës (për qasje të shpejtë te thërrimet) konsiderohen zona “Premium”.

- Siguria

Ballkonet e rrethuara me rrjeta mushkonjash, të cilat ofrojnë mbrojtje nga macet e lagjes, shiten me çmimin e “Komplekseve të Mbyllura Rezidenciale”.

Një fole e përfunduar mirë, me pamje të lirë drejt një pellgu me baltë apo një kazani plehrash, po shitet me çmime që rivalizojnë metrin katror të njeriut.

Për çiftet e reja të dallëndysheve, ëndrra për të pasur një fole të tyren po zbehet. Bankat e shpendëve kanë ashpërsuar kushtet e dhënies së kredisë, duke kërkuar kolateral të lartë dhe norma interesi që arrijnë deri në 8% të insekteve të kapura gjatë ditës.

“Po mendojmë të transferohemi në Kamëz ose në Paskuqan,” shprehet e dëshpëruar një dallëndyshe e re, ndërkohë që kërkonte një cep të lirë poshtë një ulluku dritareje. “Tirana është bërë e pajetueshme. Të ardhurat tona nuk kanë ndryshyuar, kapim po aq miza sa vjet, por një fole e thjeshtë garsoniere tani kushton sa kursimet e një jete të tërë.”

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.