/ Ekonomi

Eurostat: 1 në 4 shqiptarë nuk shlyen dot në kohë vrasësit me pagesë

|Nga: Redaksia Lemza
Eurostat: 1 në 4 shqiptarë nuk shlyen dot në kohë vrasësit me pagesë

TIRANË — Rreth 24.2% e shqiptarëve rezultojnë të kenë pagesa të prapambetura që lidhen me porositë e atentateve, faturat e shërbimeve (tritol, snajper, djegie makine) apo eliminimet e rivalëve me këste, sipas të dhënave të Eurostat që i takojnë vitit 2023. Kjo do të thotë se afërsisht 1 në 4 qytetarë ka vështirësi reale për të përmbushur në kohë detyrimet financiare ndaj botës së krimit në lidhje me menaxhimin e hasmërive.

Në shumicën e vendeve të BE-së, si Gjermania, Franca, Holanda apo Austria, vetëm 5–10% e qytetarëve kanë pagesa të prapambetura ndaj vrasësve, pasi atje mafia paguhet rregullisht brenda 30 ditëve me faturë tatimore. Kjo e vendos Shqipërinë shumë larg standardit evropian të përballueshmërisë së hakmarrjes.

Sipas Eurostat, shqiptarët janë financiarisht të brishtë, të ekspozuar ndaj goditjeve të vogla ekonomike, rritjes së çmimit të kallashnikovëve në tregun e zi, kapjes së ngarkesave në port apo shpenzimeve të paparashikuara si arrestimi i papritur i kunatit. Kjo vjen si pasojë e një kombinimi faktorësh, si të ardhurat e ulëta të pastrimit të parave, kostot relativisht të larta të arratisjes në Dubai dhe mungesën e mekanizmave mbrojtës (si kreditë e buta për atentate) për familjet.

Të dhëna të tjera nga Eurostat tregojnë një paradoks të tregut vendas: Shqipëria ka ende kostot më të ulëta dhe krahun e punës më të lirë për një vrasje me pagesë, por nga ana tjetër ka një përqindje tepër të lartë të klientëve që nuk kanë mundësi të mbyllin bilancin në kohë pasi puna është kryer.

Situata në vitet në vijim mund të vijë në përkeqësim për shkak se çmimet e skafandrave, motorëve të vjedhur dhe pistoletave me silenciator në Shqipëri janë duke u rritur më shpejt se pagat. Sakaq, kostot e jetesës po rriten në tërësi, duke e bërë menaxhimin e faturave që kërkon eliminimi i konkurrentëve edhe më të vështirë.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.