/ Sociale

Nisma e re / Vija të bardha dhe semaforë brenda shkollave për t’u mbrojtur nga shoferët e droguar

|Nga: Redaksia Lemza
Nisma e re / Vija të bardha dhe semaforë brenda shkollave për t’u mbrojtur nga shoferët e droguar

TIRANË — Duke pranuar përfundimisht humbjen e betejës me mjetet luksoze të dala jashtë kontrollit nëpër qytet, Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Policinë Rrugore prezantuan sot një projekt pilot revolucionar: instalimin e semaforëve, vizave të bardha dhe policëve të shtrirë brenda godinave shkollore. Sipas autoriteteve, meqenëse trotuaret, gardhet dhe oborret e shkollave nuk ofrojnë më asnjë lloj sigurie ndaj një Audi Q8 që drejtohet nga një 20-vjeçar nën efektin e substancave narkotike dhe frustrimit seksual, e vetmja zgjidhje logjike është që fëmijët të mbrohen duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor edhe brenda mureve të institucionit.

Ekspertët e sigurisë theksuan se ky është një hap madhor për t’iu përshtatur “normalitetit të ri” urban. Duke filluar nga e hëna, çdo nxënës që dëshiron të kalojë nga klasa e tij drejt tualetit të katit të dytë, duhet të shtypë butonin e semaforit dhe të presë dritën jeshile, në rast se ndonjë adoleshent i droguar brenda një mjeti me xhama të zinj ka vendosur të shkurtojë rrugën përmes shkollës.

“Nuk mund t’i ndalim shoferët e droguar të hyjnë me makinë përmes mureve të palestrës, kjo do të ishte utopike dhe do të cenonte lirinë e tyre për të lëvizur të intoksikuar,” u shpreh drejtori i një shkolle 9-vjeçare në kryeqytet, teksa vizatonte një korsi biçikletash mes përmes bankave të klasës së pestë. “Ajo që mund të bëjmë është t’u mësojmë fëmijëve të shohin majtas-djathtas para se të ngrihen në dërrasë të zezë.”

Çdo klasë do të ketë një nxënës kujdestar të pajisur me jelek fosforeshent dhe tabelë “STOP”, i cili do të ndalojë trafikun sa herë që mësuesja kalon bankë më bankë për të kontrolluar detyrat e shtëpisë. Gjithashtu, bibliotekat e shkollave do të vendosen tabela që e kufizojnë shpejtësinë e makinave në vetëm 40 km/h, për të mos prishur qetësinë e leximit. Vendosja e radarëve të shpejtësisë parashikohet në një fazë të dytë.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.