BAKS-RRJOLL — Pas dy muajsh rezistencë, përplasje të dhunshme me policinë dhe shoqërime në masë, qeveria dhe Investitori Strategjik kanë gjetur më në fund gjuhën e përbashkët me banorët e zonës. Për të qetësuar komunitetin që refuzon të lëshojë tokën e të parëve, Investitori ka ofruar një garanci me firmë dhe me vulë: dhuna policore, shkopinjtë e gomës dhe zvarritjet në rërë nuk do të përfundojnë me mbarimin e punimeve, por do të kthehen në një shërbim permanent dhe elitar të resortit.
Sipas përfaqësuesve të kompanisë ndërtuese, e gjithë kjo situatë ka qenë thjesht një keqkuptim i madh. Në një konferencë për shtyp të mbajtur mes forcave speciale dhe makinerive të rënda, drejtori i projektit, Leme Gargara, sqaroi vizionin e tij për zhvillimin e qëndrueshëm të bregdetit.
“Banorët menduan se pasi t’u grabitnim tokën dhe të ndërtonim resortin, ne do t’i harronim,” shpjegoi ai, i rrethuar nga roje private me kapuça të zinj. “Kjo është krejtësisht e pavërtetë dhe një fyerje për kompaninë tonë. Ne po ndërtojmë një resort me 5 yje All-Inclusive. Dajaku do të jetë pjesë e paketës bazë për çdo banor të zonës, i garantuar me kontratë. Ne do të vazhdojmë t’i zhdëpim në dru me të njëjtin pasion dhe përkushtim që po tregojmë sot.”
Për të treguar transparencë, kompania publikoi një plan biznesi ku theksohet se, sapo resorti të hapet, rrahja e banorëve nuk do të bëhet më në mënyrë të çrregullt jashtë rrethimit, por me orar zyrtar, çdo ditë nga ora 10:00 deri në 12:00 paradite.
Marrëveshja duket se ka sjellë një farë qetësie mes banorëve, të cilët nuk pajtoheshin me injorimin që po i bënin institucionet.
“Në fillim ishim skeptikë,” thotë një 65-vjeçar nga Baks-Rrjolli, teksa vendos pak akull mbi një hematomë në krah, dhuratë nga shoqërimi i djeshëm. “Por kur shteti dhe hajduti i pronave të japin fjalën se nuk do të të lënë asnjë ditë pa të dërrmuar ashtin, edhe pasi t’i kenë vjedhur të gjitha, ndihesh disi më i vlerësuar. Ky po që është shtet që mendon për qytetarin në terma afatgjatë.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.