/ Ekonomi
/ Shëndeti

Paratë e pista gjenden në testikujt e 80% të meshkujve

|Nga: Redaksia Lemza
Paratë e pista gjenden në testikujt e 80% të meshkujve

TIRANË — Në një zbulim mjekësor që ka shokuar biologët dhe ka entuziazmuar Drejtorinë e Tatimeve, një studim i ri arriti në përfundimin se përqendrimi i ekonomisë informale në vend ka shkuar deri në nivele qelizore. Sipas kërkuesve, gjurmë të “parave të pista” janë gjetur në testikujt e afro 80% të meshkujve shqiptarë. Ekspertët e Institutit të Shëndetit Ekonomik dhe Riprodhimit deklaruan se fillimisht po testonin kampionët për mikroplastikë, por analizat zbuluan diçka shumë herë më shqetësuese: grimca eurosh me prejardhje shtëpitë e barit, copëza faturash të falsifikuara TVSH-je si dhe kontrata tenderësh publikë të bëra shuk.

Kërkuesit shpjegojnë se ekspozimi ndaj pastrimit të parave në Shqipëri është aq i lartë saqë tani thithet përmes ajrit, ujit dhe poreve të lëkurës. “Prisnim të gjenim mbetje nga shishet e ujit apo tefloni i tiganëve,” u shpreh Dr. Ilir Beqo, udhëheqësi i studimit. “Nuk do ta harroj kurrë çastin kur zmadhuam një qelizë dhe pamë se në vend të ADN-së, ajo po transportonte një prerje 500-euroshe me gjurmë të dukshme kokaine.”

Sipas raportit, meshkujt që jetojnë pranë kantiereve, ata që pinë kafe në lokale ku nuk jepet kupon tatimor, ose ata që punojnë në Call Center të dyshimtë, kishin nivelet më të larta të kapitalit të paligjshëm në organet e tyre riprodhuese. 

Ndërkohë, Ministria e Ekonomisë e ka pritur këtë lajm me një optimizëm të papritur. Në një deklaratë zyrtare, zëdhënësi i ministrisë, Idajet Keko, tha se ky studim hedh poshtë akuzat e opozitës se pasuria është e përqendruar vetëm tek një grusht njerëzish. “Kjo provon qartë se zhvillimi ekonomik dhe paratë po i shpërndahen qytetarëve shqiptarë deri në nivelin gjenetik,” tha ai.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.