TIRANË — Futbolli është quajtur prej kohësh si “opium për masat”, por sociologët thonë se në Shqipëri ai ka një funksion shumë më fisnik dhe integrues. Gjatë 90 minutave të lojës së Kombëtares, ndodh një fenomen i paprecedentë barazie sociale: shqiptarët bëhen një trup i vetëm, duke fshirë çdo ndarje klasore. Për një natë të vetme, kombi bashkohet në një frymë të shenjtë vëllazërore, duke lënë mënjanë dallimet në babëzi apo në dosje penale.
Nuk ka rëndësi nëse ke vjedhur 20 milionë euro me një koncesion rruge, apo nëse ke futur tinëz një domate në xhep te tregu i fshatarëve; kur këndohet himni, të dyja palët e mbajnë dorën në zemër me të njëjtin pasion.
“Mrekullia e vërtetë e Kombëtares është aftësia për të ulur në të njëjtin nivel emocional profilet më ekstreme të shoqërisë sonë,” u shpreh sociologu i njohur Ymer Pishabredhi. “Në njërin skaj kemi oligarkun që s’ka lënë copë të vendit pa vjedhur e shkatërruar, ndërsa në skajin tjetër kemi fakirin nga Lapraka që ka modifikuar sahatin e dritave për të ngrohur dhomën e fëmijëve gjatë dimrit.”
Sipas Pishabredhit, pavarësisht këtij hendeku ekonomik dhe grykësor, në momentet kur Muçi do penetrojë zonën e rreptësisë, rrahjet e zemrës së oligarkut dhe fakirit kapin fiks të njëjtën frekuencë. Të dy ngrihen në këmbë duke shtrënguar nofullën, krejtësisht të bindur se fati i Shqipërisë në një lojë me top është gjëja më e rëndësishme në botë.
“Aspekti më magjik i këtij bashkimi mbarëkombëtar,” shton më tej Pishabredhi. “Ndodh kur koncepti i “hajdutit” monopolizohet ekskluzivisht nga një njeri i vetëm: arbitri i ndeshjes. Nëse gjyqtari pikaset duke mbajtur anën e kundërshtarit, ndodh një shpërthim i jashtëzakonshëm hipokrizie kombëtare, ku si oligarku, si fakiri, akuzojnë me fyerjet më rrëqethëse arbitrin për padrejtësi. Ata nuk e njohin njëri-tjetrin, por në çaste të tilla ndajnë të njëjtën neveri për vjedhjen që po u bëhet. Arbitri kthehet në koshin e përbashkët ku shqiptarët hedhin të gjitha mëkatet e tyre.”
Sidoqoftë, Pishabredhi thekson se kjo dalldi kombëtare ka një afat të limituar. “Sapo dëgjohet vërshëllima e trefishtë e fundit të ndeshjes, magjia shpërbëhet. Fanellat kuqezi hiqen për t’u larë, dhe shoqëria i kthehet normalitetit të saj rreptësisht hierarkik,” shprehet ai
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.