/ Shëndeti

Betimi i ri i Hipokratit: Betohem të shpëtoj jetë njerëzish para datës 20

|Nga: Redaksia Lemza
Betimi i ri i Hipokratit: Betohem të shpëtoj jetë njerëzish para datës 20

TIRANË — Fakulteti i Mjekësisë dhe Urdhri i Mjekut kanë njoftuar sot një përditësim historik të Betimit të Hipokratit, për ta përshtatur atë me realitetin e ri financiar të QSUT. Duke filluar nga ky muaj, mjekët e rinj nuk do të betohen më në emër të Apolonit apo Asklepit, por në emër të Koncesionarit të Laboratorëve.

Fraza e vjetër dhe e dalë boje, “Betohem të mbroj jetën e pacientit”, është zëvendësuar zyrtarisht me versionin e ri, shumë më pragmatik: “Betohem të mbroj jetën e pacientit, me kusht që të sëmuret nga data 1 deri në datën 19 të muajit”.

Ky rishikim mjekësor vjen pas pranimit nga Ministria e Shëndetësisë se pas datës 20, buxheti i koncesionarit të analizave shteron. Rrjedhimisht, çdo qytetar që zgjedh në mënyrë të papërgjegjshme të ketë probleme me mëlçinë, veshkat apo gjakun në javën e fundit të muajit, do të konsiderohet “shkelës i kontratës koncesionare.”

Ekspertët e shëndetësisë tani po u bëjnë thirrje qytetarëve që të sinkronizojnë biologjinë e tyre me faturat e koncesionarit. “Po shohim një trend alarmant të qytetarëve që paraqiten me ishemi cerebrale apo kolika renale në datën 24 apo 25 të muajit,” u ankua Rafael Marauzhga, specialist i fushës. “Kjo tregon një mungesë totale të edukatës fiskale. Një qytetar i përgjegjshëm evropian e shtyn infarktin për datën 1 të muajit pasardhës, kur hapet sërish buxheti i analizave. Nuk mund të abuzojmë kështu me shtetin!”

Ndërkohë, Komiteti i Çmimit Nobel në Suedi po shqyrton seriozisht t’i japë çmimin prestigjioz në mjekësi QSUT-së pas këtij zbulimi revolucionar të zhdukjes totale të çdo virusi, bakteri dhe patologjie njerëzore në 10 ditët e fundit të muajit.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.