MACAU — Një studim i ri botuar në revistën shkencore kineze Varësia dhe Jeta ka arritur në një përfundim dëshpërues për njeriun modern. Shkencëtarët fillimisht u nisën për të vërtetuar se si përdorimi i TikTok dëmton kujtesën dhe fragmenton vëmendjen në jetën e përditshme, por zbuluan një emergjencë shumë më të madhe: përdoruesit e kanë dëmtuar trurin e tyre në atë farë feje saqë nuk po arrijnë dot më të shijojnë as vetë kalbjen e trurit (brain-rot).
Studimi origjinal fliste për FOMO (Frika se po humb një ngjarje sociale në jetën reale). Por drama e vërtetë, sipas studiuesve, është se FOMO tani ndodh brenda vetë aplikacionit.
“Përdoruesi vuan nga një ankth i vazhdueshëm se videoja e radhës do të jetë më e bukur, më qesharake dhe më virale se ajo që po sheh aktualisht,” shpjegon Dr. Lang Hara Çi. “Si pasojë, ai i bën ‘skip’ videos aktuale pa e parë fundin. Kjo krijon një rreth vicioz ku personi kalon 3 orë në TikTok duke bërë skanim të shpejtë, dhe në fund të ditës nuk mban mend asnjë video të vetme për t’ia treguar shokëve. Është një torturë psikologjike e mirëfilltë.”
Sipas studiuesve, kjo gjendje e vazhdueshme e të bërit scroll pa përqendrim e fragmenton aq shumë vëmendjen dhe aftësinë konjitive, saqë cilësia e kalbjes së trurit bie me 60%.
Rekomandimi i tyre është i qartë: “Ne këshillojmë përdoruesit të lënë telefonin dhe të dalin të bëjnë një ecje ose të takohen me shokët për të paktën njëzet minuta në ditë. Vetëm duke e çlodhur trurin në këtë mënyrë, ata do të mund të kthehen sërish në darkë në TikTok, me kapacitet të plotë mendor, për të shijuar plotësisht shkatërrimin e aftësisve të tyre konjitive. Cilësia e kalbjes së trurit tuaj varet tërësisht nga kjo.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.