/ Kulturë

Arsyeja pse vonohen zjarrfikëset / Arkeologët duan 1 orë t'i zhgroposin

|Nga: Redaksia Lemza
Arsyeja pse vonohen zjarrfikëset / Arkeologët duan 1 orë t'i zhgroposin

TIRANË — Banorët e një pallati në Astir që prisnin me dëshpërim ndërhyrjen e zjarrfikëseve mbrëmjen e djeshme, morën një përgjigje të paprecedentë nga salla operative e emergjencave: “Ekipi është gati, por na jepni një orë kohë sa të mbarojmë gërmimet arkeologjike për të nxjerrë kamionin nga garazhi.”

Pas zbulimit të kafkës së T-Rex-it brenda kroskotit të mjetit prehistorik “Iveco”, stacioni qendror i zjarrfikëseve është shpallur zyrtarisht “Park Arkeologjik i Kategorisë së Parë”. Kjo ka rritur në mënyrë drastike kohën e reagimit ndaj zjarreve. Sipas protokollit të ri të miratuar nga Ministria e Kulturës dhe ajo e Brendshme, nisja e një mjeti zjarrfikës nuk është më një proces i thjeshtë mekanik.

Kur bie zilja e alarmit për zjarr, zjarrfikësit fillimisht duhet të njoftojnë ekipin e Institutit të Arkeologjisë. Këta të fundit mbërrijnë në stacion me furça të vogla, spatula dhe piskatore për të pastruar me kujdes shtresat e baltës shekullore dhe mbetjeve të Kretakut të Vonë që bllokojnë rrotat e kamionit.

“Ne e kuptojmë që po ju digjet shtëpia zotëri,” dëgjohet t’i thotë dispeçeri një qytetari të dëshpëruar në telefon, “por profesori i arkeologjisë sapo gjeti një fosil trilobiti te marmita e kamionit. Nëse e ndezim motorin tani, vibracionet mund të shkatërrojnë një pjesë të historisë së botës. Mbushni nja dy kova me ujë vetë deri sa të marrim lejen nga UNESCO.”

Situata në stacionin e zjarrfikësve ka qenë e tensionuar ditët e fundit. Komandant Petriti ankohet se koha e reagimit ka shkuar nga 15 minuta, në 1 orë e 20 minuta. “Sot kishim një urgjencë. U futa në kabinë, dhe fiks kur po rrotulloja çelësin, mu hodh arkeologu para kofanos,” tregon Petriti i indinjuar. “Më bërtiti se po prishja ‘kontekstin historik’ të mjetit. Ai donte të bënte datimin me Karbon-14 të vajit të frenave para se të niseshim. Nuk mundem më, ju betohem.”

Nga ana tjetër, Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore e ka paralajmëruar stafin e emergjencave që të mos përdorin më sirenën, pasi frekuencat e larta po shkaktojnë mikro-krisje në brinjët e pterodaktilit që u zbulua javën e kaluar poshtë ndenjëses së pasagjerit. Ndërkohë, qytetarëve u është sugjeruar që zjarret e vogla t’i fikin vetë. Ndërsa për zjarret e mëdha, të luten që arkeologët ta kenë përfunduar gërmimin e marshit të dytë të kamionit me kohë.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.