TIRANË — Ndërkohë që programuesit, operatorët e marketingut dhe artistët po jetojnë vite tmerri nga frika se Inteligjenca Artificiale do i nxjerrë nga tregu i punës, Iliri, një 42-vjeçar nga Tirana me dy fëmijë, shpreh zhgënjim të thellë te teknologjia e re. Ai anuloi abonimin e tij mujor pasi kuptoi se modelet e fundit gjuhësore dështojnë në testin më themelor të rolit atëror: shmangien e përgjegjësisë dhe përgjigjet boshe.
Sipas Ilirit, problemi më i madh i Inteligjencës Artificiale është dëshira e tyre e sëmurë për të qenë të dobishme dhe për të zgjidhur problemet e fëmijëve, në vend që t’ua lërë ato prindit tjetër.
“Dje djali më pyeti se ku i kishte çorapet me Spiderman. Unë i hapa ChatGPT-në me zë që t’i përgjigjej dhe të shpëtoja vetë,” tregon Iliri i irrituar. “Por inteligjenca filloi t’i jepte këshilla logjike! I tha të kontrollonte poshtë krevatit, të kujtonte se ku i hoqi mbrëmë, t’i bënte një analizë deduktive dhomës. Humbje kohe! Një baba i vërtetë thotë: ‘Ik pyet mamin, se na lodhe kokën.’ Brenda dy sekondave fëmija ikën nga dhoma dhe ti kthehesh te ndeshja.”
Një tjetër dështim spektakolar i kësaj teknologjie është përballja me terrorin psikologjik të njohur si “Pse-të e pafundme”.
“Vajza e vogël pyeti Claude-in pse bie shi. Claude i shpjegoi avullimin,” rrëfen Iliri. “Vajza tha ‘Po pse?’. Claude i shpjegoi kondensimin. ‘Po pse?’… Claude kaloi te termodinamika atmosferike. Në pyetjen e 173-të ‘Po pse?’, telefonit i ra bateria. Një baba analog prej mishi nuk lodhet fare. Kur vijmë te ‘Po pse-ja’ e pestë, i këpus një të bërtitur: ‘Se ashtu them unë!’, dhe mbaron muhabeti. Inteligjencës Artificiale i mungon aftësia për të vendosur diktaturë verbale.”
Për Ilirin, modelet gjuhësore kanë ende shumë rrugë për të bërë, sidomos në përsëritjen e një fjalie dyzetepesë herë tek lexon përralla para gjumit apo në gjenerimin e gulçeve të pakënaqura kur fëmijët lenë derën e frigoriferit hapur. Deri atëherë, ai do të vazhdojë ta kryejë vetë këtë zanat manual dhe rraskapitës.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.