/ Showbiz

Prezantuesja e motit pushohet nga puna kur zbulojnë se ka doktoraturë në meteorologji

|Nga: Redaksia Lemza
Prezantuesja e motit pushohet nga puna kur zbulojnë se ka doktoraturë në meteorologji

TIRANË — News 48, një nga televizionet më prestigjioze në  tregun mediatik, ka tronditur opinionin publik duke shkarkuar prezantuesen e parashikimit të motit, Noemi Karfica. Vendimi drastik erdhi pas një investigimi të brendshëm ku u zbulua se 26-vjeçarja, e punësuar fillimisht për fustanet e saj të ngushta dhe buzëqeshjen joshëse, kishte një diplomë Doktorature në Meteorologji dhe Klimatologji. Drejtoria e televizionit e ka konsideruar këtë si “një tradhti të rëndë të besimit të shikuesve” dhe një shkelje flagrante të kontratës, e cila specifikonte qartë se prezantuesja nuk duhej të dinte asgjë më shumë sesa dallimin mes qiellit me re dhe atij me diell.

Sipas stafit teknik, shenjat kishin qenë aty prej kohësh. Kameramani i studios tregoi se e kishte kapur shpesh vajzën duke korrigjuar fshehurazi temperaturat në prompter dhe duke i shpjeguar me detaje grimieres ndikimin e Anticiklonit të Azoreve dhe rrymave konvektive mbi reshjet në Ultësirën Perëndimore.

Teleshikuesit besnikë të edicionit qendror të lajmeve në News 48 u shprehën të tronditur nga fakti që për gjashtë muaj rresht kishin marrë informacion të saktë shkencor. “Unë ulem para televizorit në 7 të mbrëmjes për t’u qetësuar pas një dite të lodhshme pune,” shkruan një qytetar i revoltuar në një postim në Facebook. “Nuk më intereson fare a ka rënie të izobareve apo si formohet cikloni mesdhetar. Unë dua të shoh si i rri fustani i verdhë prezantueses kur tregon me gisht nga Kukësi. Për shkencë hap librin e fizikës së djalit, s’kam nevojë për lajmet!”

Për të riparuar dëmin e shkaktuar në imazhin e televizionit, bordi drejtues ka punësuar urgjentisht një modele 19-vjeçare Instagrami. E reja shkëlqeu gjatë intervistës së punës duke ngatërruar qytetin e Korçës me hartën e Italisë dhe pyeti nëse “presioni atmosferik” ishte ndonjë koktej i ri që shërbehej në lokalet e natës. Televizioni njoftoi se kontrata e re e punës ka një klauzolë të hekurt: nëse vajza e re kapet duke lexuar një libër çfarëdo do të përballet me gjobë të majme.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon