PARIS — Pas njohjes së xhubletës dhe lahutës, UNESCO ka vendosur të fusë në listën e Trashëgimisë Shpirtërore të Njerëzimit një tjetër fenomen autokton shqiptar: Ritualin e komshijes që lan shkallët e pallatit me ACE të shtunën në orën 06:00 të mëngjesit.
Sipas komisionit të vlerësimit, ky akt tejkalon procesin e thjeshtë higjienik dhe kthehet në “performancë të mirëfilltë teatrale, territoriale dhe shpirtërore”, e cila ka mbijetuar e paprekur ndër shekuj, nga koha e sokakëve me kalldrëm e deri te komplekset moderne rezidenciale.
Antropologët e huaj që kaluan gjashtë muaj të infiltruar nëpër pallatet e Tiranës, mbetën të mahnitur nga disiplina gati ushtarake e këtij rituali. Gjithçka fillon me zhurmën e fortë të kovës plastike që përplaset me qëllim pas shkallëve të pallatit.
“Është një kambanë zgjimi për të gjithë komunitetin,” shkruhet në relacionin e UNESCO-s. “Komshija kujton të gjithë banorët e tjerë se ajo është zgjuar nga gjumi me kohë, dhe si rrjedhojë është moralisht superiore ndaj tyre që ende po flenë.”
Një nga elementet që e bindi jurinë ndërkombëtare ishte përdorimi ekstrem i kimikateve. Sipas ekspertëve, komshija shqiptare është e vetmja qenie në planet që e trajton sheshpushimin e katit të tretë sikur të jetë një sallë operacioni e infektuar me murtajë.
Sasia e solucionit ACE dhe klorit të derdhur nëpër shkallë është aq e madhe, saqë shpesh shkakton mutacione gjenetike te lulet e ballkoneve dhe lotim sysh te kalimtarët poshtë pallatit.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.