KAMËZ — Një ngjarje që po rrëqeth matematikanët e probabilitetit mësohet të ketë ndodhur në Kamëz, ku Ceno Seferi, 44 vjeç, krijoi aksidentalisht një sonet gjenial teksa po komentonte poshtë një lajmi në Facebook. I frustruar nga cikli i pambarueshëm i skandaleve, Seferi filloi të shkruante komentin me një inat të pakontrollueshëm, duke shtypur germat e tastierës kuturu.
Kur studiuesit e letërsisë panë komentin e Cenos në mes të detit me komente po aq delirante, mbetën të shtangur. Ajo që në pamje të parë dukej si një vjellje e çakërdisur digjitale, ishte në fakt një kryevepër strukturore që do të bënte xheloz çdo poet të Rilindjes.
Sipas analizës së detajuar nga Akademia e Shkencave, komenti i Cenos ishte një sonet klasik i ndarë në dy katërvargësh dhe dy trevargësh. Metrika ishte një njëmbëdhjetërrokësh perfekt pa asnjë çalim, ndërsa skema e rimës respektonte me përpikëri gjeometrinë e ndërlikuar ABBA ABBA CDE CDE.
“Kjo është e pabesueshme, një triumf i ligjit të numrave të mëdhenj,” deklaroi eksperti i Akademisë së Shkencave, Alfons Kapovogli, teksa lexonte nga ekrani i celularit. “Fakti që ai është analfabet e ka pastruar mendjen e tij nga çdo kufizim logjik dhe rregull sintaksor, duke na dhuruar një kryevepër poetike.”
I kontaktuar nga Lemza News, Ceno Seferi refuzoi i fyer autorësinë e poezisë, duke bërtitur me të madhe, “Ku di unë ça është metrika o vlla!”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.