MYNIH / TIRANË — Mbrëmja e djeshme e futbollit evropian do të hyjë në analet e historisë, jo për spektaklin në fushën e blertë, por për atë që po cilësohet gjerësisht si “kriza më e thellë e identitetit në historinë e gazetarisë sportive shqiptare”.
Gjatë çerekfinales së Champions League, mes Bayern Munchen dhe Real Madrid në Allianz Arena, regjia gjermane fokusoi për pak sekonda një flamur kuqezi në afërsi të goditjes së këndit. E ndërsa dhjetëra mijëra teleshikues mbajtën frymën duke pritur frazën e shenjtë të patriotizmit idiot, komentatori në studio bëri të paimagjinueshmen, duke e injoruar totalisht simbolin kombëtar.
Sipas manualit të pashkruar të gazetarisë sportive shqiptare, komentatori e ka për detyrë absolute të ndërpresë komentin e ndeshjes për të deklamuar plot ngazëllim praninë e flamurit më të bukur në botë. Por në vend të kësaj, ai vijoi komentin pa e paguar këtë haraç patriotik.
Një autoambulancë u pa të mbërrinte pranë studios së televizionit. Mjekët deklaruan jashtë kamerave se komentatori u trajtua për “humbje të përkohshme të shikimit periferik” dhe “rënie të nivelit të patriotizmit në gjak”.
Deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes, komentatori është pezulluar nga detyra. Si masë rehabilituese, ai është urdhëruar të shohë 100 orë rresht koncerte të Dua Lipës në YouTube, dhe të bërtasë sa herë që dallon një flamur shqiptar në prapavijë.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.