/ Ekonomi

Alarmohen tatimet: Nis hetimi për 61% të punonjësve që u teprojnë lekë në fund të muajit

|Nga: Redaksia Lemza
Alarmohen tatimet: Nis hetimi për 61% të punonjësve që u teprojnë lekë në fund të muajit

TIRANË — Vetëm disa orë pas publikimit të raportit evropian që zbuloi se 39% e punonjësve shqiptarë nuk shtyjnë dot muajin, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka ngritur një Task Force emergjente për të zbuluar se si dreqin po ia bëjnë 61% e punonjësve të mos vdesin urie dhe t’u teprojnë lekë pas datës 18?

Sipas inspektorëve tatimorë, mbijetesa me pagat aktuale në Shqipëri, përballë çmimeve të shportës që rivalizojnë ato të Zyrihut, klasifikohet si “Aktivitet Paranormal” ose “Evazion Fiskal i Nivelit të Lartë”.

Një kontabilist 42-vjeçar nga Tirana me inicialet A.M, u shoqërua mbrëmë në polici pasi u kap në flagrancë duke depozituar një kartëmonedhë prej 1 mijë lekësh të reja në bankomat.

“Më mbajtën 4 orë në pyetje,” tregon ai i traumatizuar. “Hetuesi më  më bërtiste: ‘Nga i gjete këto lekë?! Pse nuk i harxhove te karburanti?! Pse nuk bleve gjysmë kile domate jashtë sezonit?! Fol, agjent i kujt je?!’ Unë i thashë që thjesht kisha lënë duhanin, por ai nuk më besoi. Më tha se në Shqipëri, stresi financiar të detyron të pish dy paketa në ditë, prandaj justifikimi im nuk pinte ujë.”

Deri të premten tjetër, qeveria pritet të nxjerrë një Akt Normativ që i detyron të gjithë punonjësit të deklarojnë në e-Albania çdo qindarkë që u tepron në fund të muajit, së bashku me një ese argumentuese, minimumi 500 fjalë, mbi arsyen pse nuk i shpenzuan për të paguar një gjobë të pamerituar parkimi. Të jesh i varfër, është detyrim qytetar. Ndërsa, të kesh kursime është një provokim i hapur ndaj sistemit.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon