/ Shëndeti

Mjekët këshillojnë të rrahësh shefin pas buke ndihmon me tretjen

|Nga: Redaksia Lemza
Mjekët këshillojnë të rrahësh shefin pas buke ndihmon me tretjen

TIRANË — Sipas udhëzuesit të ri publikuar nga Shoqata e Gastroenterologëve të Shqipërisë, përveç çajit të kamomilit apo shëtitjes 30 minuta pas buke, ushtrimi i dhunës mbi shefin është aktiviteti që stimulon më shumë florën bakteriale të stomakut. 

Mjekët theksojnë se mllefi për orët shtesë të papaguara dhe emailet e së dielës, janë shkaktari kryesor i sindromës së zorrës së irrituar tek shqiptarët, simptoma që fashiten vetëm duke hyrë në zyrën e shefit për t’i dhënë një dajak të mirë, fiks 30 minuta pas buke.

Në konferencën vjetore të mjekësisë interne, Dr. Klevis Topoxhixho, specialist i sistemit tretës, shpjegoi me detaje biomekanikën e kësaj terapie të re.

“Kur njeriu çliron stresin toksik të zyrës duke ia veshur me dosje kokës personit që i kërkon raporte të premten në orën 16:55, trupi lëshon një sasi masive enzimash tretëse,” tha Dr. Topoxhixho, duke treguar një grafi të stomakut. “Kemi vënë re se ky ushtrim fizik ndihmon metabolizmin dhe qetëson ulcerën. E kombinuar me ndjesinë e vënies së drejtësisë në vend, kjo terapi arrin të tresë edhe një pjatë pilaf me tasqebap në më pak se 15 minuta.”

46-vjetari Behar Ziu, punëtor magazine në kryeqytet, thotë se kjo këshillë i shpëtoi jetën.

“Kam tërë jetën që vuaj nga urthi, por asgjë nuk më bënte derman,” rrëfen ai. “Derisa një ditë vendosa të ndiqja këshillën e mjekut. Kisha ngrënë dy gjiro derri me të gjitha dhe po më përvëlonte barku qamet. Në atë moment, vjen shefi dhe më thotë se duhej të rrija pas orarit, deri në 8 të darkës. Më të marrë vazon me panjë japoneze dhe më t’ia sëlluar mbas koke. Më iku thartira nga stomaku sa hap e mbyll sytë. Madje, më kërkonte xhani dhe një sheqerpare.”

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon