KSAMIL — Sezon i ri, avaz i vjetër. Strukturat akomoduese në Jug të vendit po përballen me krizën më të madhe të dekadës së fundit. Mëngjesin e sotëm, një turist i veçantë, rreth 100 metra i lartë dhe me origjinë të panjohur bërthamore, ndryshe njohur me emrin Godzilla, doli nga thellësitë e detit Jon dhe u drejtua për në breg.
Por, paniku i pronarëve të bizneseve në jug nuk lidhet fare me shkatërrimin e infrastrukturës. Tragjedia e vërtetë, sipas Shoqatës së Turizmit, është fakti se bizneset nuk kanë kamerierë të kualifikuar për t’i bërë ballë këtij turisti elitar dhe apokaliptik.
Në një deklaratë për Lemza News nga rrënojat e lokalit të tij, Lad Sikteri, pronari i një kompleksi me shezlongë VIP në Ksamil, u shpreh i indinjuar me rininë shqiptare.
“Turp e faqe zezë! Kur bisha doli nga deti dhe shtypi 45 çadra dyshe me bishtin e tij, stafi im ia mbathi me të katërta,” tregon ai duke shfryrë. “Të rinjtë e sotëm nuk duan të punojnë, kanë frikë nga një çikë zjarr radioaktiv. Duan vetëm rrogë të lartë dhe kushte të mira.”
Sipas Shoqatës së Turizmit, edhe këtë sezon të ri veror, stafi mbetet tërësisht i pakualifikuar për situata bazike menaxhimi të krizave.
“Kur Godzilla kërkoi menynë e pijeve duke lëshuar një ulërimë prej 140 decibelësh që theu xhamat e hoteleve deri në Himarë, kamerierët nuk dinin si t’i përgjigjeshin,” ankohet Ladi. “Stafi nuk di as anglisht dhe as gjuhën e përbindëshave prehistorikë. Jemi bërë gazi i botës.”
Ndërkohë që flakët po përpinin vijën bregdetare, Ministria e Turizmit nxori menjëherë një deklaratë për shtyp, duke e cilësuar ardhjen e Godzillës si dëshminë më të fortë se Shqipëria nuk është më një sekret i fshehur.
“Fakti që një figurë me famë botërore si Godzilla zgjodhi ujërat tona dhe jo ato të Greqisë apo Spanjës, tregon që fushata jonë e marketingut ka qenë e suksesshme,” u tha gazetarëve një zyrtar i ministrisë, teksa fshihej poshtë tavolinës së zyrës.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.