/ Udhëtime

Fluturimi i parë me katapultë Tiranë-Toronto

|Nga: Redaksia Lemza
Fluturimi i parë me katapultë Tiranë-Toronto

TIRANË — Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” ka hyrë sot në një epokë të re të aviacionit, duke lënë pas teknologjinë e vjetruar të avionëve me krahë dhe motorë. KM Edi Rama, në një ceremoni madhështore ka përuruar mjetin më të ri të transportit ndërkontinental: Katapultën Transoqeanike.

Sistemi i ri, i cili i ngjan një katapulte mesjetare, u mundësoi qytetarëve shqiptarë fluturimin e parë balistik direkt për në Kanada, duke shkurtuar udhëtimin nga 12 orë në vetëm 4 minuta e 12 sekonda.

Fluturimi inaugurues iu besua z. Hysen, një emigrant 62-vjeçar, i cili po kthehej te fëmijët në Kanada. I veshur me një kostum të posaçëm anti-G dhe një kaskë motoçiklete të ofruar falas nga koncesionari, Hyseni u shpreh tepër i emocionuar.

“Para se të hipja në llastik, KM më dha dorën,” tha ai nga një spital ortopedik në Toronto, në gjendje të rëndë pas zbarkimit. “Ishte një përvojë e jashtëzakonshme. E pashë Oqeanin Atlantik me kokë poshtë.”

Autoriteti i Aviacionit Civil garantoi se teknologjia është 100% e sigurt, megjithëse banorët e Vorës janë këshilluar të mbajnë çadrat hapur, pasi herë pas here nga qielli mund të bien valixhe të mbyllura keq, qese me trahana, ose bidonë me raki kumbulle.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon