TIRANË — Sahatët inteligjentë të energjisë elektrike, të cilët i kushtuan buxhetit plot 4.4 milionë euro, bëjnë më shumë se matjen e kilovatëve të harxhuar. Sipas specifikimeve teknike, çdo sahat i ri vjen i pajisur me një procesor grafik të gjeneratës së fundit dhe lidhje Wi-Fi 5G, duke u lejuar qytetarëve të luajnë Fortnite drejtpërdrejt nga kabina elektrike e pallatit.
Në një konferencë për shtyp pranë një nënstacioni në Kashar, drejtori i inovacioneve në OSSH, Ilo Shtërgu, shpjegoi vizionin e këtij projekti novator, teksa mbante një levë të lidhur me Bluetooth te matësi i dritave.
“E kuptuam që qytetarët stresohen kur shohin numrat e konsumit që rriten çdo ditë,” tha ai. “Me matësit e rinj, abonentët mund të zbresin poshtë te shkalla, të fusin kufjet te sahati dhe të luajnë Fortnite me 120 FPS. S’ka më mirë se të largosh stresin e faturës së kripur të janarit duke gjetur një Loot Llama me armë legjendare”
Risitë nuk mbarojnë këtu. Për të rritur arkëtimet, OSSH ka arritur një marrëveshje ekskluzive me kompaninë Epic Games. Qytetarët që nuk kanë mundësi të paguajnë dritat në fund të muajit, mund ta shlyejnë detyrimin me V-Bucks përmes misioneve brenda lojës.
Ndërkohë, zëdhënësit e OSSH u kanë bërë thirrje lojtarëve të tregojnë kujdes. Çdo eleminim i hershëm brenda Fortnite dënohet nga sistemi inteligjent me një stakim automatik dritash për 15 minuta në të gjithë pallatin, “sa për t’i dhënë pak emocion lojës”.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.