/ Op-ed

Çfarëdolloj gjëje që të bëni, mos fusni gishtat në hundë

|Nga: Dr. Erika Pilari, Mjeke Otorinolaringologe
Çfarëdolloj gjëje që të bëni, mos fusni gishtat në hundë

Të dashur qytetarë, 

Si mjeke otorinolaringologe, karriera ime përbëhet kryesisht nga eksplorimi i zgavrave të errëta dhe të pështira të kokës suaj. Gjatë 20 viteve në këtë zanat, kam nxjerrë fara lulekoke, karfica flokësh dhe pjesë Legosh nga hundët e fëmijëve parashkollorë. Është pjesë e punës së përditshme. Por ajo që më lë pa gjumë dhe më nxit të shkruaj këto rreshta jeni ju, të rriturit, me zakonin tuaj të shpifur dhe fare patriotik të gërmimit të thellë të hundës me gisht.

Ndaj po jua them me fjalët më të thjeshta dhe më të sinqerta që më lejon Betimi i Hipokratit: Çfarëdolloj gjëje që të bëni, mos i fusni gishtat në hundë!

Hunda juaj është një sistem kondicionimi i mrekullueshëm biologjik. Ajo ngroh, filtron dhe lagështon ajrin para se të shkojë në mushkëri.

Për ta bërë këtë punë më së miri, ajo është e veshur me një mukozë tejet delikate, e mbushur me një rrjet të dendur kapilarësh gjaku. Kur ju fusni gishtin tuaj tregues aty brenda me forcën e një matrapiku, ju po kryeni një akt terrorizmi biologjik ndaj vetes suaj.

Nëse mendoni se rreziku i vetëm është të kapeni mat nga komshiu, e keni gabim.

A e dini pse papritur ju del gjak nga hundët? Sepse javën e kaluar e keni ngacmuar aq shumë atë kapilarin e gjorë, sa e keni bërë fërtele. Dhe kur më vini në urgjencë me një pecetë të futur si turjelë në flegrën e hundës, duke u ankuar se “e kam nga stresi”. Të dy e dimë shumë mirë se nuk është e vërtetë.

Unë e kuptoj shumë mirë situatën tuaj. E bëni sepse gërmimi sjell një lloj kënaqësie, si vesi i ngrënies së thonjve. 

Por ky ves duhet të ndalet.

Tregoni pak respekt për atë mukozë të gjorë. Përdorini gishtat për atë çka janë krijuar: rrotullimin e duhanit të hapur. Por për hir të shëndetit tuaj dhe paqes sime mendore, mbajini larg nga hunda!

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon