E mbaj veten për njeri atletik dhe të shëndetshëm. Eci çdo ditë me kilometra të tëra, mbaj shënime strikte për kaloritë, dhe dieta ime bazohet pothuajse tërësisht te kosi, me një konsum shumë të ulët të mishit. Fizikisht dhe mendërisht, trupi im është i përgatitur për t’i bërë ballë stresit dhe për të shmangur përcëllimin e epilepsisë së rastit.
Por, siç e provova dje në kurrizin tim, asnjë regjim fitnesi apo qetësi shpirtërore nuk të përgatit dot për një Akt Normativ të Qeverisë Shqiptare.
Fati e deshi të kem shtëpinë ngjitur me stadiumin e ndërtuar rishtas për koncertin e Ye në Kashar. Intensiteti dhe frekuenca më të cilin pulsonin projektorët ishin e tillë, saqë zgjuan spazmat epileptike brenda meje. U përpëlita si i poseduar nga demonë biblikë për sekonda të tëra, gjersa humba ndjenjat.
Sot u zgjova në Urgjencë. Mjeku roje, teksa më kontrollonte bebëzat e syve, më tha se kisha pësuar “Epilepsi me financim shteti”.
U sëmura nga koncerti që u financua me paratë e emergjencave, dhe tani shteti s’ka para për të më kuruar emergjencën time. Qeveria krenohet se ky koncert po na ndriçon në sytë e botës. Ama ndriçon aq shumë, saqë të çon direkt në reanimacion.
Herën tjetër që qeveria do na shpëtojë nga turpi, i lutem të na njoftojë paraprakisht. Të paktën të pajisemi me syze saldatori kur të ulemi për të ngrënë darkë me familjen.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.