/ Kulturë

Këngëtarët e iso-polifonisë në abstinencë seksuale gjatë sezonit të dasmave

|Nga: Redaksia Lemza
Këngëtarët e iso-polifonisë në abstinencë seksuale gjatë sezonit të dasmave

LABËRI — Frymëzuar nga atletët profesionistë para ngjarjeve të rëndësishme sportive, këngëtarët e iso-polifonisë në Jug të vendit janë futur në regjim olimpik: asnjë lloj kontakti seksual me gratë e tyre deri në përfundim të sezonit të dasmave dhe festivaleve.

Sipas tyre, intimiteti fizik zbut diafragmën, ul nivelin e testosteronit dhe i heq zërit egërsinë e domosdoshme që kërkohet për të mahnitur krushqit.

Çeço Fratari, marrës në njërin prej grupeve më të suksesshme në Labëri, tregon se polifonia është një sport ekstrem që kërkon mushkëri çeliku dhe një nivel të lartë frustrimi seksual, i cili më pas shkarkohet i gjithi te nota e lartë e këngës.

“Seksi është armiku i isos,” shpjegon ai duke pirë një teke raki për të bërë nxemjen e mëngjesit. “Nëse ti kalon një natë romantike me gruan, të nesërmen vjen në ansambël i relaksuar, me një buzëqeshje prej budallai. Zëri të del i hollë. Si mund të këndosh për Çerçiz Topullin në këtë gjendje? Polifonia kërkon mllef! Kërkon që burri të jetë i tensionuar, si një luan në kafaz. Atë tension, ne e kanalizojmë te ‘Hedhësi’. Ai e hedh zërin deri në kupë të qiellit sepse ka 10 muaj që nuk ndjen prekjen e një femre!”

Kjo disiplinë spartane ka shkaktuar zemërim në radhët e grave, të cilat kërcënojnë bllokim të rrugëve nacionale nëse ata vazhdojnë të refuzojnë intimitetin fizik.

“Turp i Zotit kush e dëgjon,” ankohet gruaja e Çeços. “Dje vesha një këmishë nate të re për t’i tërhequr vëmendjen. Ai mbylli sytë dhe tha: Lërmë të qetë o grua, se kemi një synetllëk të shtunën në Tepelenë. Duhet të jem i fokusuar në maksimum!”

Deri në përfundim të sezonit, anëtarët e grupeve polifonike kanë njoftuar se do të vazhdojnë të ruajnë virilitetin e tyre të paprekur, pavarësisht kërcënimeve bashkëshortore.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon