/ Ekonomi

Air Albania shpëton nga falimenti pasi dy kalimtarë ndihmojnë për të shtyrë avionin

|Nga: Redaksia Lemza
Air Albania shpëton nga falimenti pasi dy kalimtarë ndihmojnë për të shtyrë avionin

RINAS — Ndërkohë që javët e fundit është përfolur për një kolaps të mundshëm financiar dhe bllokim të aseteve, kompania  Air Albania ka shmangur zyrtarisht falimentin paraditen e sotme. Shpëtimi erdhi nga dy qytetarë nga fshati Ahmetaq, të cilët rastisën duke ecur buzë rrethimit të aeroportit dhe dhanë një dorë për të shtyrë avionin.

Ky gjest shmangu pagesën e tarifave për mjetet tërheqëse të pistës, duke ulur kostot e operimit të kompanisë me 99% dhe duke e rikthyer atë në bilanc pozitiv.

Sipas dëshmitarëve okularë, fluturimi ZB2003 drejt Romës kishte mbetur në vendnumëro për më shumë se dy muaj. Kompania nuk kishte fonde për të paguar karrotrecin e aeroportit, dhe piloti po tentonte ta ndizte motorin duke i rënë pultit me grusht.

Pikërisht në këtë moment dëshpërimi, Gëzimi, 45 vjeç, dhe Iliri, 38 vjeç, dy banorë të zonës që po ktheheshin nga një kafe e mëngjesit, kapërcyen gardhin rrethues nga një e çarë te telat.

Të dy burrat vendosën supet te gomat e pasme të Airbus A319-100, ndryshe i njohur si Lasgushi. Pas disa tentativash, avioni mori vrull, piloti lëshoi freksionin dhe motori u ndez me një shtëllungë të madhe të zezë.

Brenda në kabinë, pasagjerët reaguan me entuziazëm kur panë dy kalimtarët që po i shpëtonin nga anulimi i fluturimit. 

“Kjo është Shqipëria e vërtetë,” tha një pasagjer, i përlotur. “Mendoja se do mbeteshim në Rinas deri në gusht.”

Si shpërblim për shpëtimin e kompanisë nga falimenti, Gëzimit dhe Ilirit iu ofrua një biletë vajtje-ardhje falas për në Stamboll. Megjithatë, ata e refuzuan ofertën me mirësjellje, duke theksuar se “nuk kanë besim te një avion që ndizet me të shtyrë.”

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon