TIRANË — Këngëtari dhe fenomeni i rrjeteve sociale Luiz Ejlli, i ka dhënë një kuptim krejt të ri shprehjes “arti buron nga dhimbja”. Mbrëmjen e djeshme, pasi ndjeu një mpirje të papritur në anën e majtë të trupit, shikim të mjegullt dhe vështirësi në artikulim (simptoma klasike të një tromboze në tru) ai telefonoi producentin e tij muzikor dhe i tha: “Ndize studion, kemi një hit që po më bllokon qarkullimin e gjakut!”
Ndërkohë që oksigjeni në trurin e artistit po pakësohej, niveli i frymëzimit komercial po arrinte majat. Për rreth 4 orë, me një gjysmë-paralizë faciale që u shfrytëzua mjeshtërisht për t’i dhënë këngës një ton më melankolik, Luizi shkroi, kompozoi dhe regjistroi baladën e tij më të re me titull: “Ishemia”.
“Ishte një moment magjik,” tregon inxhinieri i zërit, ende i traumatizuar. “Ne donim t’i jepnim një aspirinë për të holluar gjakun, por ai refuzoi prerazi. Na tha: ‘S’ka aspirinë!. Lëreni mpiksjen të bëjë punën e saj deri te refreni!’”
Absurditeti arriti kulmin kur stafi i urgjencës më në fund mbërriti poshtë studios. Mjekët u futën me barelë dhe defibrilator, por u ndaluan në derë nga menaxheri i marketingut. Pacienti refuzonte kategorikisht të hipte në ambulancë nëse videoja nuk përfundonte renderimin në cilësinë 4K.
Strategjia gjeniale me sa duket se u shpërblye. Kënga “Ishemia” u publikua fiks në momentin kur Luizi po futej në sallën e Rezonancës Manjetike, duke grumbulluar 1 milion klikime para se infermierja t’i gjente venën për t’i vënë serumin. Pas disa orësh paniku, stafi i tij njoftoi fansat se artisti e ka kaluar rrezikun për jetën.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.