/ Ekonomi

Taulant Balla shpjegon përfitimin e projektit në Zvërnec: Do blejnë shalqi pa provë

|Nga: Redaksia Lemza
Taulant Balla shpjegon përfitimin e projektit në Zvërnec: Do blejnë shalqi pa provë

TIRANË — Në një tjetër përpjekje për t’u mbyllur gojën kritikëve që ankohen për dhënien e qindra hektarëve bregdet dhe zonave të mbrojtura te miliarderët e huaj, në një takim me pensionistë, Taulant Balla nxori asin e fundit nga mënga e qeverisë, si dhe një thelë gjigante shalqiri.

Duke valëvitur thelën para kamerave si të ishte një shufër ari e Rezervës Federale, Balla zbuloi aneksin sekret të kontratës që, sipas tij, e kthen këtë projekt në fitoren më të madhe ekonomike në historinë e njerëzimit. Balla shpjegoi se si lëshimi i Zvërnecit te miliarderët ishte në fakt një “kurth gjenial” i qeverisë për t’u zhvatur atyre lekët përmes bostanit vendas, pa provë.

Sipas llogaritjeve të përditësuara të qeverisë, betonizimi i Zvërnecit është thjesht një sakrificë e vogël në shërbim të ringjalljes së bujqësisë lokale.

Ai zbuloi një klauzolë sekrete (Neni 4, Paragrafi i Shalqirit) në kontratën e investimit strategjik, e cila i detyron ligjërisht investitorët e huaj dhe turistët e tyre VIP që të freskohen ekskluzivisht me shalqi vendi pa provë.

“Opozita dhe pseudo-ambjentalistët nuk dinë çfarë flasin,” deklaroi Balla i entuziazmuar. “Atyre u mungon perspektiva! A e dini ju që investitorët kanë pranuar me shkrim që, gjatë qëndrimit në vilat e tyre super luksoze, do të blejnë shalqi vendi pa provë? Kjo është një injektim i drejtpërdrejtë i kapitalit të huaj në xhepat e rritësve të shalqirit!”

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon