RRASHBULL — Një përrallë e vërtetë u shkruajt ditën e djeshme në Rrashbull. Sidorela, fanse e betuar e Dua Lipës, që i bën “like” çdo postimi brenda 3 sekondave, kurorëzoi dashurinë me Klajdin, fans i Callum Turner, për habi të të gjithëve. Ata premtuan t’i bënin vetes një dasmë “fiks si idhujt e tyre”. Por, hendeku mes llogarisë bankare të një ylli global popi dhe një çifti që sapo ka marrë kredi 3 milionë lekë të vjetra te një institucion mikrofinance, prodhoi një kontrast tejet tragjik.
Ceremonia u mbajt në restorantin “Kështjella e Rrashbullit”, një ndërtim pa leje me grafiato ngjyrë pjeshkë, fiks buzë asfaltit. Në vend të zhurmës së dallgëve të mesdheut, romanca e tyre u shoqërua nga aksidentet sporadike te rrethrrotullimi më tutje.
Sidorela kishte marrë me qira një fustan te Salloni “Eleganca” (paketa 200 euro, ku përfshihej edhe grimi e flokët). Në vend të puplave origjinale, fustani kishte thekë sintetike që mbanin erë naftalinë. Ndërsa Klajdi ishte përpjekur të imitonte britanikun me një kostum kërc, i cili u shqep te sqetullat fiks në momentin kur ngriti dolli.
Ndryshe nga muzika e Elton John në Palermo, skena e Rrashbullit dominohej nga Mandi i Mbikalimit, pajisjet e të cilit lëshonin një hingëllimë shurdhuese sa herë mikrofoni i afrohej boksit.
Tavolinat ishin shtruar me klasikët e mbijetesës së dasmave shqiptare: sallatë ruse e mbuluar me majonezë prej 3 orësh, djathë i prerë në kube të mëdha, që kishte zënë kore prej kondicionerit, dhe verë e kuqe nga “kantina” e xhaxhait, ruajtur në bidona plastikë uji. Për sa i përket ëmbëlsirës, torta katër-katëshe u përgatit nga pastiçeri “Genta.”
Përtej hendekut qesharak socio-ekonomik, Dasma e Rrashbullit arriti diçka që Dua Lipa vetëm mund ta ëndërrojë: mbledhja me fshesë e 5 milionë lekëve hedhur te orkestra.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.