SHIJAK — Në fshatrat e Shqipërisë së Mesme, pamjet flasin vetë. Pakot me pluhur të bardhë të hedhura pa mëshirë në anë të lumit Erzen nga sipërmarrësit e zonës janë dëshmi e djersës dhe mundit të një viti të tërë që shkon dëm. Prodhimi nga laboratorët e fshehtë vitin e kaluar ka qenë i bollshëm, me pastërti mbi 85%, por tregu ka munguar. Importi i lirë nga Ekuadori dhe Kolumbia po i çon drejt falimentimit të sigurt.
Sipas përfaqësuesve të Sindikatës së Pavarur të Narkotikëve, tregu vendas është përmbytur nga malli me çmim abuzivisht të ulët që vjen nga Amerika Latine, duke goditur rëndë prodhimin lokal.
Edhe në rastet kur rrjetet e shpërndarjes me pakicë kërkojnë të blejnë nga laboratorët shqiptarë, çmimi i ofruar ka rënë në nivele aq qesharake sa nuk mbulon dot as shpenzimet bazë.
“Shteti na ka lënë në mëshirë të fatit,” ankohet Miri, trafikant rreth të 40-ave, teksa shikon me dëshpërim pakot që pluskojnë mbi ujë. “Ka shkuar kostoja e gjethes së kokas në stratosferë. Llogarit qiranë e magazinës, faturën e dritave për llambat, koston e amoniakut për ta përzier, plus paguaj shefin e komisariatit, paguaj doganierin, paguaj rojën… Në fund nuk del asgjë për vete. Malli i Ekuadorit po hyn pa asnjë taksë e po na shkatërron!”
Për shumë prej këtyre familjeve të ndershme kriminale, mbajtja e kokainës stok nëpër tunele apo goma makinash po u kushton më shumë sesa ta asgjësojnë atë. Kështu që, në mungesë të tregut, lumi bëhet zgjidhja e fundit tragjike.
Por, kjo ka sjellë një anomali të papritur në ekosistemin e zonës. Banorët e fshatrave përreth lumit Erzen raportojnë se peshqit e lumit kanë filluar të notojnë me 120 km/h, bretkosat rrinë zgjuar 72 orë rresht duke bërë plane biznesi për të hapur disko në Bllok, dhe mushkonjat kanë formuar kartelin e tyre duke u kërkuar “gjobë mbrojtjeje” banorëve.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.