TIRANË — Një skuadër ndërkombëtare kriptografësh dhe gjuhëtarësh, të cilët analizuan strukturën komplekse sintaksore dhe semantike të monologut të fundit të Grida Dumës, ka dalë sot me një raport tronditës. Analistët politikë dhe teleshikuesit ishin përfshirë në debate të ethshme mbi gjimnastikën linguistike të Grida Dumës në hapje të emisionit të saj të fundit, por pa arritur të zbërthenin kuptimin e vërtetë që fshihnin fjalët.
Megjithatë, pas thyerjes së algoritmit të ndërlikuar të artikulimit të zonjës Duma, ekspertët zbuluan se monologët nuk kanë asnjë lidhje me politikën, por janë receta të detajuara, hap pas hapi, për përgatitjen e turshive.
Raporti sqaron se si publiku ra pre e një keqkuptimi të madh leksikor dhe stilistik. Kur Grida Duma fliste për “patriotizmin, ambientalizmin dhe historicizmin”, audienca mendonte se ajo po fliste për idealet e lëvizjeve qytetare. Në të vërtetë, ajo po i referohej traditës organike shqiptare të shtypjes së lakrës me gurë lumi (historicizëm) pa përdorur konservantë kimikë (ambientalizëm).
“Ne përdorëm të njëjtat pajisje që zbërthejnë kodet më të pathyeshme të aplikacionit SkyECC,” shpjegon Harold Finch, kreu i ekipit të kriptografëve. “Kur zonja Duma u shpreh se pas Zvërnecit kanë lindur kauza të tjera, të cilat janë 5, 13, 27 pika…, ne deshifruam kodin numerik. Bëhej fjalë për sasinë e saktë të përbërësve për litër ujë: 5 thelpinj hudhre, 13 kokrra piper i zi dhe 27 gjethe dafine.”
Mësohet se nga zbërthimet e monologëve të tjerë të zonjës Duma, kriptografët kanë mbledhur mbi 100 receta të ndryshme turshish, të cilat pritet të dalin në shitje në fillim të vjeshtës. Libri do të jetë një botim luksoz me kapak lëkure, i titulluar: Fenomenologjia e Turshisë.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.