/ Kulturë

Shqipëria në Hollivud: Christopher Nolan xhiroi skenat e Hadesit te Kadastra e Vlorës

|Nga: Redaksia Lemza
Shqipëria në Hollivud: Christopher Nolan xhiroi skenat e Hadesit te Kadastra e Vlorës

LOS ANXHELOS — Regjisori vizionar Christopher Nolan ka zbuluar së fundmi detaje rreth filmit të tij të ri epik, një përshtatje 300 milionë dollarësh e Odisesë së Homerit. Për të rikrijuar Mbretërinë e të Vdekurve dhe vuajtjen e pafundme të shpirtrave endacakë, stafi i Hollivudit kishte shqyrtuar pllaja në Islandë dhe shpella në Siberi. Por, siç shpjegon vetë Nolan, asgjë nuk e kapte thelbin e “torturës së përjetshme” si një qytetar i moshuar vlonjat që kërkon certifikatën e pronësisë prej 35 vitesh.

“Doja të kapja dëshpërimin e pastër njerëzor, ku hijet e njerëzve enden në pritje të një përgjigjeje që nuk vjen kurrë,” tha Nolan në një intervistë për Lemza News. “Kur skautët e mi më dërguan një video nga holli i Kadastrës së Vlorës, u mrekullova. Nuk kisha parë kurrë një vizion kaq të përsosur të Hadesit homerik.”

Për të bërë xhirimet sa më reale, aktori kryesor i filmit, Matt Damon, u pajis me një hartë topografike fiktive dhe u dërgua të regjistronte një copë tokë në Karaburun.

“Matt Damon pësoi një krizë të vërtetë nervore që ne e kapëm të gjithën në kamera,” zbuloi drejtori i fotografisë. “Lotët e tij në atë skenë janë 100% reale. Ai vërtet besoi se nuk do të dilte kurrë i gjallë nga ai institucion.”

Në Odisenë e Homerit, heroi duhet të flijojë desh të zinj dhe t’u japë gjakun hijeve në mënyrë që ato të flasin me të. Nëpunësja e Kadastrës nuk reagonte fare. U desh që aktori të sillte dy qengja të pjekur nga Llogaraja dhe t’i fuste nga dera e pasme që sportelistja të zgjohej nga letargjia dhe t’i thoshte: ‘Po e verifikojmë hartën’.”

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon