TIRANË — Genci Toguçi, biznesmen 42 vjeç, i cili ka paguar 1.2 milionë euro për një apartament luksoz të pozicionuar fiks në flegrën e majtë të hundës së Kullës Skënderbeu në qendër të kryeqytetit, shpërtheu në indinjatë të thellë patriotike.
Duke lexuar lajmet mbi manekinin plastik të Çerçiz Topullit në Muzeun e Gjirokastrës, Genci nuk e ka përmbajtur dot inatin për atë që ai e quan “një përdhosje të patolerueshme të identitetit tonë historik.”
“Jam pa fjalë,” deklaroi Genci për Lemza News. “Si mund t’i marrësh rrobat e një heroi dhe t’ia veshësh një manekini? Figurat e kombit duhen trajtuar me dinjitet sublim monumental, jo të kthehen në personazhe komike vizatimorë që i gajasin turistët.”
Genci e mbajti këtë fjalim të zjarrtë ndërkohë që i tregonte të dërguarit të Lemza News arredimin modern të sallonit të tij, që ka një formë të harkuar asimetrike, pasi muret e jashtme përkojnë me mollëzën e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, ndërsa tualeti i mysafirëve ndodhet në kavitetin hundor të tij.
Në mbarim të intervistës, Genci shoqëroi ekipin e Lemzës deri te ashensori i godinës, i cili kalon vertikalisht përmes ezofagut dhe qafës së Atletit të Krishtit.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.