Pse të lodh kokën për të prindëruar fëmijët e mi të pabindur kur kam një abonim Plus në ChatGPT, i cili ma administron shtëpinë si të ishte kompani në Fortune 500.
Im atë përdorte vetëm një metodë, që ishte primitive dhe pak efikase: “Sepse kështu them unë!” Unë sot kam në dorë diçka shumë herë më të fuqishme. Kam një prompt të strukturuar me të gjitha gabimet e fëmijëve të mi gjatë vitit të fundit.
Nëse vajza guxon të ankohet se nuk e ha dot spinaqin, unë i bëj një prompt aty për aty: “Analizo këtë vakt për një 14-vjeçare dhe argumento pse ankesa për spinaqin është një gabim logjik, bazuar në ekuilibrin makro-nutricional.”
Ia nxjerr përgjigjen me pika dhe i them me qetësi: “Çika e babës, nuk po të detyroj unë të hash spinaqin. Po ta kërkon bilanci tënd i kalciumit muajin e fundit, llogaritur nga GPT-4o.”
Edhe kërkesat për lekë xhepi apo për rroba të reja nuk bëhen më me premtime banale, si “do mësoj më shumë muajin tjetër”. Tani rregullat janë të qarta. Nëse do një palë atlete të reja, më paraqit një plan biznesi me analizë SWOT. Më trego ku është kthimi i investimit (ROI). Nëse ChatGPT-ja e auditon projektin me notë jo më të vogël se 8, paratë kalojnë te llogaria. Nëse jo, rri me ato atlete që ke.
Të gjitha dënimet dhe reduktimet e kohës në kompjuter dërgohen me e-mail zyrtar familjar, me format të miratuar nga algoritmi. Ankohuni sa të doni, por për sa kohë që hani bukën time, përdorni internetin tim dhe flini nën çatinë time, do të bëni ashtu siç thotë ChatGPT-ja ime!
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.