I dashur nipçe. Kam vënë re një fenomen shqetësues kohët e fundit në tryezën time. Shoh që s’ke më respekt ndaj rregullave të tavolinës. Argumenti yt kryesor kur vjen për darkë është “u ngopa” ose “sa hëngra”. Por, pas një analize empirike të pjatës tënde, unë dal vazhdimisht në të njëjtin përfundim. S’ke ngrënë fare.
Ti ke pafytyrësinë t’i quash tre thela byrek me spinaq, dy pjata me tasqebap, një sallatë fshati dhe një gjysmë buke një “vakt të plotë”. Kjo është një logjikë e gabuar perëndimore. Si mund të jesh ngopur kur mishi i qengjit ka mbetur në tepsi? Kur të them “merr edhe një copë”, nuk është sugjerim dietologjik more, është detyrim moral. Sepse s’ke ngrënë fare.
Nëse nuk të shpërthen kopsa e pantallonave nga urgusja me byrek, atëherë ti je në limitet e kequshqyerjes. A e di ti sa u lodha duke e hapur ato petë me okllai? Pale kur më thua “kam ngrënë jashtë”. Çfarë ke ngrënë jashtë, të hëngër mortja? Ato mbeturinat e fast fudeve?
Prandaj, lëri këto teori absurde me kalori. Në qoftë se nuk rrezikon humbjen e ndjenjave nga yndyra apo sheqeri në gjak, nuk quhet. Kështu që, pasi të hash salcën e specave, mos mendo se ke mbaruar. Qëro nja dy mollë ose ndonjë portokall. Të kam vënë re gjithë darkën, s’ke ngrënë fare.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.