THETH — Lugina e Thethit ka hapur zyrtarisht edicionin e ri të festivalit më të zhurmshëm në Evropë, quajtur “Gjenerator Fest.”
Aktiviteti, i cili tashmë është kthyer në një traditë sepse zhvillohet çdo ditë nga ora 08:00 deri në mesnatë kur mbaron nafta, përbëhet nga orkestra me 400 gjeneratorë kinezë e japonezë që buçasin në kor me një decibel mesatar prej 95 dB.
“Erdha në Theth për të dëgjuar gurgullimën e ujëvarës së Grunasit,” thotë Hans, një turist gjerman, nëpërmjet një megafoni,. “Por zhurma ritmike e gjeneratorit ‘Kipor 8KW’ që dridh gjithë dyshemenë e drurit më krijoi një përvojë të papritur. Tani nuk fle dot pa erën e tymit të naftës te dritarja.”
Organizatorët kanë ndarë luginën në tri skena:
Skena Kryesore në qendër të fshatit, ku një performancë maratonë nga një gjenerator industrial 3-fazor mbulon të gjithë luginën me bas në frekuencën 50 Hz.
Skena Acoustic në afërsi të Kullës së Ngujimit, ku buçitja e markave japoneze shoqërohet nga tingujt vajtues të lahutës.
Skena Techno në Ujëvarën e Grunasit ku një gjenerator me benzinë bën “beat drop” sa herë që dikush zhytet me kokë në pellg.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.