TIRANË — Shoqata jo fitimprurëse Këshilli i Gazetarisë ka publikuar sot një raport tronditës mbi gjendjen e medias në Shqipëri. Sipas të dhënave, plot 75% e përmbajtjes që konsumojnë shqiptarët çdo ditë në TV, portale dhe rrjete sociale klasifikohet si Rama Slop.
Termi slop i referohet përmbajtjeve me vlerë të ulët, të prodhuara masivisht në mënyrë artizanale nga Zyra e Kryeministrit për të mbushur çdo ekran televizioni dhe hapësirë virtuale në rrjet.
“Kur një qytetar shqiptar hap telefonin në mëngjes, gjasat janë 3 në 4 lajme të kenë mikrofon podkasti, një palë atlete të bardha, ose një renderim 3D i një kulle që duket si anije kozmike,” thuhet në raport.
Raporti gjithashtu ngre alarmin se konsumi i lartë i përmbajtjeve me Rama slop po lë pasoja të rënda në shëndetin mendor të qytetarëve.
“Ndër të tjera, është vënë re se njerëzit kanë nisur të flasin me metafora të gjata futbollistike apo të botës së shpezëve,” theksohet në raport. “Por simptoma më shqetësuese është servilizmi patologjik ndaj biondinave italiane me tendenca fashiste.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.